Hadergjonaj dhe Sadiku: Kosova e fortë, rruga drejt së ardhmes dhe bashkimit
Deputetët e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Fadil Hadergjonaj Bjeshka dhe Ermal Sadiku, kanë uruar qytetarët me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës duke theksuar sakrificën e brezave dhe domosdoshmërinë e forcimit të shtetit.
Fadil Hadergjonaj Bjeshka u shpreh se në këtë përvjetor duhet të përulemi me nderim para atyre që bënë të mundur lirinë.
“Në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, përulemi me nderim para mendjes, sakrificës dhe guximit të brezave që e bënë të mundur lirinë tonë”, ka shkruar Hadergjonaj.
Ai tha se duke respektuar të kaluarën, qëndrojmë të fortë në të tashmen dhe punojmë me përkushtim për një të ardhme të sigurt dhe prosperuese për shtetin dhe qytetarët tanë.
“Le të jetë Kosova e para! Gëzuar 18-vjetorin e Pavarësisë! Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin shqiptar!”, ka theksuar Hadergjonaj.
Ndërsa, Ermal Sadiku, ka uruar qytetarët me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës duke theksuar se 17 Shkurti nuk është vetëm një datë kalendarike, por simbol i sakrificës dhe qëndresës së popullit.
“Urime Pavarësia, e dashur Kosovë. Sot nuk festojmë vetëm një datë. Festojmë sakrificën, qëndresën, plagët dhe ëndrrat që na sollën deri këtu. Forcimi i Kosovës nuk është thjesht projekt politik, është amanet”, ka shkruar Sadiku.
Ai ka theksuar se fuqizimi i shtetit të Kosovës është rruga më e sigurt drejt realizimit të aspiratave kombëtare.
“Sa më e fortë të jetë Kosova, sa më e drejtë, sa më e zhvilluar, aq më afër bëhet edhe Bashkimi Kombëtar. Rruga drejt bashkimit nuk kalon përmes fjalëve të mëdha, por përmes ndërtimit të një shteti të fortë, me institucione të ndershme, me ekonomi të zhvilluar dhe me dinjitet për çdo qytetar”, ka theksuar ai.
Në fund të mesazhit të tij, deputeti i LDK-së ka bërë thirrje që dashuria për Kosovën të mos mbetet vetëm në ditë festash.
“Le ta duam Kosovën jo vetëm në festa, por çdo ditë duke e forcuar duke e mbrojtur dhe duke e bërë më të mirë se dje. Urime Pavarësia”, ka përfunduar Sadiku. /Kosova.info/
