Marshimi “Drejtësi, jo politikë” mbledh mijëra qytetarë në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është mbajtur marshimi me moton “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Në tubim u kërkua drejtësi e paanshme për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe për bashkëluftëtarët e tyre, të cilët ndodhen në proces gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Sipas organizatorëve nga Platforma Qytetare “Liria Ka Emër”, në marshim morën pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, nga rajoni dhe diaspora. Ata theksuan se tubimi kishte karakter paqësor dhe synonte të përcillte mesazhin për ndarje të drejtësisë nga ndikimet politike.

Pjesëmarrësit qëndruan për disa orë në shesh, pavarësisht kushteve atmosferike duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së. Organizatorët e cilësuan këtë si një nga tubimet më të mëdha qytetare të viteve të fundit.

Në përmbyllje, nga organizatorët u tha se në fazën finale të procesit gjyqësor pritet një vendim i drejtë dhe i paanshëm duke theksuar se lufta e UÇK-së duhet të trajtohet në kontekstin historik të saj dhe jo si çështje politike. /Kosova.info/


Go to TOP