Izraeli shpall tokat palestineze në Bregun Perëndimor si pronë shtetërore
Mediumet izraelite kanë njoftuar se qeveria në Tel Aviv ka aprovuar propozimin për regjistrimin e pjesëve të mëdha të territorit në Bregun Perëndimor si “pronë shtetërore” vendim i cili ka sjellë reagime të ashpra nga përfaqësuesit palestinezë, të cilët thonë se ky vendim është legalizim i “vjedhjes së tokave” ku palestinezët kanë jetuar me gjenerata.
Edhe pse Izraeli mbanë kontrollin e Bregut Perëndimor që nga viti 1967, një pjesë e madhe e pronave palestineze kurrë nuk janë regjistruar në mënyrë zyrtare. Ky vendim, që i shpall ato “prona shtetërore”, në efekt ua merr pronësinë palestinezëve dhe ia kalon autoriteteve izraelite.
Sipas Izraelit, ky vendim ka për qëllim “sigurimin e qeverisjes dhe kontrollit të shtetit Izraelit në këtë territor”, por palestinezët dhe disa organizata ndërkombëtare kanë thënë se ai ka për qëllim transferimin e pronësisë së tokave tek kolonët izraelitë, një lëvizje ilegale sipas ligjit ndërkombëtar, i cili përcakton se një fuqi okupuese nuk mund të konfiskojë prona apo të ndryshojë pronësinë e tokave në territoret e okupuara.
Sipas Presidencës Palestineze, ky vendim i anulon marrëveshjet e nënshkruara deri tani dhe shkon kundër rezolutave të OKB-së.
Shumë analistë kanë thënë se ky vendim, në mënyrë efektive, anekson pjesët e Bregut Perëndimor në Izrael, duke hapur rrugë ligjore për zgjerimin e mëtejshëm të kolonive dhe duke ia vështirësuar edhe më shumë jetën palestinezëve në Bregun Perëndimor.
OKB-ja, deri tani, nuk ka komentuar rreth këtyre zhvillimeve.
