Osmani: 1.1 miliardë euro investime e grante për Kosovën – Sot, Kosova fitoi
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat pritet të sjellin rreth 1.1 miliardë euro investime dhe grante për vendin.
Sipas Osmanit, këto marrëveshje hapin rrugë për më shumë mundësi për të rinjtë, mbështetje më të madhe për familjet, si dhe investime të reja për bizneset vendore. Ajo theksoi se përfitimet do të prekin drejtpërdrejt sektorë kyç si shëndetësia, arsimi, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.
“Këto janë investime që do të ndihen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë”, u shpreh Osmani duke shtuar se bashkëpunimi institucional është çelësi i suksesit.
Në përfundim, Presidentja theksoi se uniteti në vendimmarrje sjell rezultate konkrete për shtetin: “Kur veprojmë bashkë, Kosova gjithmonë fiton. Dhe sot, Kosova fitoi.” /Kosova.info/
