90.3 milionë euro nga marrëveshja ndërkombëtare që u miratua në Kuvend
Marrëveshja e dytë ndërkombëtare që deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan u bë ajo e financimit të politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër, me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim e cila është pjesë e Bankës Botërore.
103 deputetë votuan pro, asnjë kundër dhe pesë abstenuan. Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se kjo marrëveshje u nënshkrua në prill të vitit 2024, e që përfshin 90.3 milionë euro.
“Shteti i Kosovës i ka përmbushur të gjitha detyrimet në raport me Bankën Botërore…Kjo marrëveshje ka kushtet më të mira ndonjëherë sa i përket financimit sepse bëhet me afat maturiteti 12 vjeçar, por me normë interesi 0%. Tek pas 6 viteve fillon kthimi”, ka thënë ai.
Kuvendi miraton marrëveshjen me BE-në, Kosova përfiton 882.6 milionë euro
Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje.
Nga 108 deputetë, 104 votuan pro, asnjë kundër dhe 5 abstenuan.
Ministri i Financave, Hekuran Murati gjatë prezantimit të marrëveshjes, tha se 1/3-ta e këtyre mjeteve është grant. Nga shuma e përgjithshme rreth 253.3 milionë janë grante ndërkaq pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro do të jetë kredi, që do të ratifikohet me një marrëveshje të veçantë
“Në kuadër të këtij plani apo marrëveshje parashihet që Kosova të përfitojë një pako prej 882,6 milionë eurove, e cila mund të them se është alkimi më i madhi në raport me bruto produktin vendor. Pra është rreth 7% e bruto produktit vendor që i është flokuar Kosovës”, ka thënë ai.
Përfaqësuesit e LVV-së, PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe grupit multietnik me deklarimet e tyre shprehën përkrahjen e tyre ndaj kësaj marrëveshje ndërkombëtare.
“Ne kërkojmë plan sepse një pjesë është kredi, tjetra është grant. Ne duam të dimë ku shkojnë këto para”, tha Besnik Tahiri i AAK-së drejtuar ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ndërkaq ai iu kundërpërgjigj, duke dhënë në mënyrë të detajuar aspektin ligjor se në çka mund të shpenzohen këto mjete.
