Në njëvjetorin e vdekjes, kolegët e përkujtojnë gazetarin Faton Osmani
Një vit pas ndarjes nga jeta, komuniteti mediatik i Kosovës u mblodh në një Akademi Përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e gazetarit dhe themeluesit të Agjencisë së Lajmeve “Ekonomia Online”, Faton Osmani.
Aktiviteti, i organizuar nga EO dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), solli dëshmi të shumta për një profesionist që la gjurmë të thella në gazetarinë kosovare.
Në thelb të vlerësimeve që u dhanë për Osmanin qëndronin tri shtylla kryesore: integriteti, saktësia dhe përgjegjësia publike. Kolegë dhe përfaqësues institucionalë theksuan se ai i përkiste një brezi gazetarësh që e ndërtoi profesionin mbi etikën dhe përkushtimin ndaj faktit, në një periudhë sfiduese për median në Kosovë.
Gazetarja Serbeze Haxhija e cilësoi Osmanin si standard profesional dhe shembull për komunitetin mediatik, duke nënvizuar se ai promovonte solidaritetin, respektin dhe meritokracinë brenda redaksive. Sipas saj, në një kohë kur integriteti shpesh vihet në provë, figura e tij mbetet pikë referimi për mënyrën se si duhet të ushtrohet gazetaria – me dinjitet, korrektësi dhe mbështetje të ndërsjellë mes kolegësh.
Edhe gazetari Shaip Mustafa theksoi se për Osmanin, pavarësisht platformës, qoftë gazetë, portal apo medium online – thelbësore mbetej saktësia e informacionit dhe etika profesionale. Ai rikujtoi se Osmani shmangte sensacionalizmin dhe “rrugët e shkurtra” drejt vëmendjes publike, duke besuar në gazetarinë e faktit dhe analizës.
Themelimi i “Ekonomia Online” në vitin 2010 u cilësua si kulmi i këtij përkushtimi: krijimi i një hapësire serioze informative për ekonominë, biznesin dhe vendimmarrjen institucionale – fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, vlerësoi kontributin e Osmanit si të rëndësishëm dhe të prekshëm në zhvillimin e medias në Kosovë. Ai theksoi se “Ekonomia Online” u shndërrua shpejt në një burim të besueshëm informacioni dhe partner i shumë mediave, brenda dhe jashtë vendit. Sipas Rexhës, dhjetëra gazetarë dhe kameramanë janë formuar profesionalisht në këtë redaksi, duke e çuar më tej frymën e disiplinës dhe standardit që Osmani vendosi.
Në të njëjtën linjë, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ndau një mirënjohje post mortum për jetën dhe veprën e gazetarit, duke e cilësuar atë si profesionist me integritet të lartë dhe si bir të denjë të qytetit të tij. Ai theksoi se parimet mbi të cilat u ndërtua EO. saktësia, paanshmëria dhe përgjegjësia, përbëjnë një trashëgimi të gjallë për gazetarinë kosovare.
Në emër të Kryeqytetit të Prishtinës, u vlerësua se Osmani i përkiste një lloji gazetarie që nuk matet me zhurmën e titujve, por me peshën e informacionit. Ai raportonte për buxhete, zhvillime ekonomike dhe vendime institucionale që, ndonëse jo gjithmonë spektakolare, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në funksionimin e ekonomisë.
Akademia u përmbyll me fjalimin emocional të vajzës së tij, Enea Osmani, e cila kujtoi të atin si profesionist të rrallë dhe si baba të përkushtuar. Ajo theksoi se, përtej arritjeve në gazetari, përkushtimi i tij më i madh kishte qenë familja, duke dëshmuar për një balancë të ndërtuar me vetëdije mes jetës personale dhe asaj profesionale.
Faton Osmani u nda nga jeta më 11 shkurt 2025, në moshën 49-vjeçare, duke lënë pas bashkëshorten, vajzën dhe djalin. Trashëgimia e tij profesionale mbetet e mishëruar në standardin e redaksisë që themeloi dhe në kulturën e gazetarisë së bazuar në fakte, integritet dhe përgjegjësi publike.
Në fund u dha edhe një dokumentar, ku kolegët dhe miqtë e Fatonit shpalosën kujtime nga jeta, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi në media dhe jashtë saj.
