Funksionalizohet sistemi i ujërave të shiut në shkollën `Abdyl Ramaj`
Projekti është implementuar në kuadër të IWRM-K Faza 2 – Skema e Granteve për OJQ, me mbështetje të Qeverisë Zvicerane përmes SDC. Ky projekt synon ruajtjen e resurseve ujore duke përdorur ujin e reshjeve për ujitje, gjë që rrit qëndrueshmërinë gjatë periudhave të thata.
Sipas njoftimit, projekti është implementuar në kuadër të IWRM-K Faza 2 – Skema e Granteve për OJQ, me mbështetje financiare të Qeverisë Zvicerane përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Qëllimi i projektit është ruajtja e resurseve ujore dhe rritja e qëndrueshmërisë gjatë periudhave të thata, përmes shfrytëzimit të ujit të reshjeve për ujitje.
“Sistemi i implementuar grumbullon ujin e shiut nga kulmi i objektit shkollor dhe e ruan atë në rezervuarë, për t’u përdorur më pas për ujitjen e hapësirave të gjelbra përmes rrjetit të spërkatjes dhe sistemit pikë-pikë. Përveç funksionit praktik, ky sistem shërben edhe si mjet edukativ, duke u mundësuar nxënësve dhe mësimdhënësve të angazhohen në mësim praktik mbi menaxhimin e qëndrueshëm të ujit”, thuhet në njoftim.
Gjatë ceremonisë, përfaqësuesja e SDC-së, Ardiana Efendija Zhuri, e vlerësoi projektin si një shembull konkret të investimeve të qëndrueshme, duke theksuar se grantet e zbatuara mirë mund të krijojnë ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet, duke lidhur arsimin me mbrojtjen e mjedisit.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe Drejtori i Arsimit dhe Drejtori i Shërbimeve Publike të Komunës së Suharekës, të cilët përgëzuan shkollën dhe partnerët për realizimin e projektit. Ata theksuan se komuna do të vazhdojë të përkrahë iniciativa të tilla dhe se synohet që ky model të replikohet edhe në projekte të tjera infrastrukturore.
Përfaqësuesit institucionalë ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit me donatorët dhe angazhimin për menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve ujore, me qëllim zbatimin e projekteve të ngjashme edhe në institucione të tjera arsimore dhe publike.
Tutje thuhet se përvoja e SHM IAAP “Abdyl Ramaj” dëshmon se bashkëpunimi ndërmjet shkollës, komunës dhe partnerëve mbështetës mund të sjellë zgjidhje funksionale dhe të qëndrueshme, duke krijuar modele që mund të shërbejnë si pikënisje për iniciativa më të gjera në nivel institucional në Kosovë.


