Gashi: Demokracia e brendshme është vlera më e madhe e LDK-së
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Klinë, Lekë D. Gashi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda LDK-së duke theksuar se demokracia e brendshme është themeli mbi të cilin është ndërtuar dhe vazhdon të funksionojë kjo parti.
Gashi shprehet se LDK-ja, e lindur mbi bazat e demokracisë, ka qenë dhe mbetet e vetmja parti që zhvillon debate të hapura, garë të ndershme dhe votim të lirë në kuti duke e konsideruar këtë si pjesën më të rëndësishme të demokracisë së brendshme dhe një vlerë të pazëvendësueshme.
Sipas tij, sot është koha që anëtarësia dhe strukturat e partisë të jenë të bashkuara rreth së ardhmes së shtetit të Kosovës, përmes LDK-së duke nënvizuar se kryetarët në këtë parti shkojnë e vijnë, por mbi të gjithë dhe mbi çdo individ qëndron Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ai ka kritikuar edhe ata që kundërshtojnë proceset demokratike brenda partisë duke thënë se mungesa e mirëkuptimit për konceptin demokratik vjen ose nga refuzimi për ta pranuar atë, ose nga përvoja e kaluar në parti ku drejtuesit janë imponuar pa garë dhe pa vullnet të lirë të anëtarësisë.
Në përmbyllje, Lekë D. Gashi ka theksuar se LDK-ja mbetet garanci për ndërtimin dhe funksionimin e një shteti demokratik duke uruar që Zoti ta bekojë popullin e Kosovës. /Kosova.info/
