Selmanaj: Avdullah Hoti vlerë e madhe për LDK-në, por nuk përjashtohen kandidatura të tjera

Delegati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka vlerësuar se është një vlerë e madhe për partinë që Avdullah Hoti të qëndrojë në krye të LDK-së duke shtuar se nuk përjashtohen kandidatura të tjera që mund të shfaqen në kuvend.

Selmanaj, që përfaqëson degën e LDK-së në Prizren me 16 delegatë, tha se ka bindje personale për rrugën më të mirë që partia duhet të ndjekë, por se vendimi final i takon delegatëve.

“E kaluara e zotit Hoti, trashëgimia politike që i ka dhënë LDK-së është në secilën sferë ku ka qenë, është e jashtëzakonshme. Unë mendoj që është vlerë e madhe e LDK-së që zoti Hoti të jetë në krye të partisë, por nuk përjashtohen kandidatura të tjera. Janë në vlerësim të delegatëve dhe unë i nënshtrohem parimit të shumicës. Demokracia vetëm kështu ka kuptim. Besomani, kjo është e mira që po i ndodh LDK-së,” tha Selmanaj.

Ai theksoi gjithashtu se ftesa për Kuvendin është e paqartë duke shtuar se nuk është e qartë nëse sot do të hyhet në proces votimi për kryetarin e ri.

“Unë mendoj se brenda do t’i them të gjitha dhe do të kem mundësi të flas. Nuk e di sot nëse do të hyjmë në votim për kryetarin e ri, por qëndrimi im është i qartë: LDK-së dhe Kosovës i duhet një LDK me dinamikë ndryshe, pak më ndryshe,” shtoi ai.

Selmanaj theksoi rëndësinë e debatit dhe kundërshtive brenda partisë si pjesë të demokracisë funksionale duke thënë se kjo është një praktikë që partitë e tjera dhe shoqëria duhet ta kultivojnë.

Go to TOP