Rama: Sakrifica e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut është themeli i shtetit dhe lirisë së Kosovës
Në 29-vjetorin e rënies së heronjve të kombit Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kujtuar me respekt dhe mirënjohje të thellë veprën dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
Rama ka theksuar se rënia e tyre nuk ishte vetëm një akt heroik, por një akt i lartë politik dhe kombëtar, përmes të cilit u dha mesazhi i qartë se liria nuk negociohet dhe se dinjiteti i popullit mbrohet me vendosmëri.
“Sakrifica e tyre i parapriu historisë me guxim duke e kthyer idealin e lirisë në rrugë pa kthim për Kosovën”, ka vlerësuar Rama duke shtuar se pikërisht mbi themelet e gjakut të tyre është ndërtuar shteti i Kosovës.
Ai ka nënvizuar se sot institucionet dhe qytetarët kanë obligim moral dhe shtetëror që ta mbrojnë lirinë dhe vlerat për të cilat ranë këta heronj duke ndërtuar drejtësi, përgjegjësi dhe përkushtim të pandalshëm ndaj shtetit.
“Lavdi e përjetshme heronjve. Mirënjohje e përhershme për ata që i dhanë kuptim fjalës shtet dhe liri”, ka përfunduar mesazhin e tij kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. /Kosova.info/
