Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Kosovës, Nikolla Xhufka, i bën thirrje Kryepeshkopit Joani për njohjen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Ukrainës
Në një reagim publik në këto kohë të trazuara gjeopolitike dhe kishtare, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Kosovës, Hirësia e Tij Nikolla Xhufka, i është drejtuar Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Hirësi Joani, duke i bërë thirrje që të njohë Autoqefalinë dhe pavarësinë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Ukrainës.
Kryepeshkopi Xhufka thekson se njohja e Autoqefalisë së Ukrainës është në përputhje me traditën kanonike të Kishës dhe me rolin historik të Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës, e cila ka dhënë Autoqefalinë edhe për Kishën Ortodokse Shqiptare.
Ai shpreh shqetësimin e tij për, siç e quan, vazhdimin e një vije filoruse të trashëguar nga paraardhësi Anastas dhe bën thirrje për një orientim më të qartë drejt Kishës Mëmë – Patriarkanës Ekumenike.
“Nëse Autoqefalia ka qenë e vlefshme kur na është dhënë neve nga Patriarkana Ekumenike, pse të mos ketë të njëjtën vlerë kur i jepet Kishës së Ukrainës?”, thekson Kryepeshkopi Xhufka në deklaratën e tij.
Ai i bën thirrje Kryepeshkopit Joani që të tregojë lidership kishtar, duke drejtuar Kishën Ortodokse Shqiptare me frymë perëndimore, në harmoni me orientimin historik dhe politik të shqiptarëve, dhe jo me vështrim nga Moska.
Në deklaratë theksohet gjithashtu nevoja që Kisha të qëndrojë në anën e viktimave të luftës dhe jo të agresorëve, duke mbrojtur të dobëtit dhe duke dënuar pushtimin dhe dhunën.
Në fund të mesazhit të tij, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Kosovës shpreh lutjen për ndriçim shpirtëror dhe urtësi për Kryepeshkopin Joani, në marrjen e vendimeve që prekin të ardhmen e Kishës dhe besimtarëve.
