Vazhdojnë dorëheqjet e parevokueshme në LDK-në e Prizrenit

Dervish Famil Ninaj jep dorëheqje të parevokueshme nga kryesia e nëndegës së LDK-së “Jeta e Re”

Dervish Famil Ninaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të nëndegës së LDK-së “Jeta e Re” duke e bërë publik vendimin përmes një reagimi të gjatë dhe të drejtpërdrejtë.

Ninaj ka bërë të ditur se kjo është dorëheqja e tij e dytë nga kjo pozitë duke theksuar se hera e parë kishte ndodhur kur, sipas tij, disa bashkëveprimtarë u detyruan të largohen për shkak të sjelljeve dhe veprimeve të kryetarit aktual të degës së LDK-së në Prizren.

Ai shprehet i zhgënjyer thellë me gjendjen aktuale në degën e LDK-së në Prizren duke akuzuar drejtpërdrejt kryetarin e degës, Driton Selmanaj, për degradim të rëndë të strukturave partiake dhe për, siç thotë ai, shtyrjen drejt burgimit të shumë aktivistëve dhe komisionerëve, vetëm për t’i shtuar vota atij.

“Jam i bindur se familjarët e komisionerëve të LDK-së sot e mallkojnë Driton Selmanajn për këtë të zezë që ua bëri atyre,” shkruan Ninaj duke shtuar se nuk mund të vazhdojë të mbajë një pozitë drejtuese duke përballuar, siç thotë ai, mallkimin e nënave, fëmijët e të cilave sot ndodhen në burg.

Ai thekson se për arsye morale dhe njerëzore, nuk mund të qëndrojë më në krye të nëndegës, ndaj edhe ka vendosur të largohet përfundimisht nga kjo detyrë.

“Nga sot nuk jam më kryetar i nëndegës së LDK-së ‘Jeta e Re’. Jap dorëheqje të parevokueshme,” përfundon Ninaj. /Kosova.info/

Go to TOP