Shkaktoi aksident dhe u largua nga vendi i ngjarjes, masa ndaj shoferit

Dy ditë më parë një shofer kishte shkaktuar aksident në rrugën “Isa Kastrati”, në Prishtinë duke goditur dy vetura e duke i shkaktuar lëndime trupore katër personave, më pas i njëjti kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Dy ditë pas, Policia e Kosovës ka njoftuar se shoferi është identifikuar e lokalizuar dhe ndaj tij janë marrë masa ligjore.

“Sipas të dhënave fillestare nga vendi i ngjarjes, një automjet kishte goditur dy vetura, me ç’rast ka shkaktuar lëndime trupore te katër persona, si dhe dëme materiale në automjetet e përfshira në aksident. Menjëherë pas pranimit të informatës, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Si rezultat i veprimeve policore, është arritur që të identifikohet dhe të lokalizohet shoferi, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin. Ndaj tij janë ndërmarrë masat ligjore konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës duke ritheksuar përkushtimin për rritjen e sigurisë në trafik, u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, shpejtësinë e lejuar dhe sinjalistikën rrugore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve.


Go to TOP