LRF Peja zgjedh Bakir Burrin kandidat për Komitetin Ekzekutiv të FFK-së

Lidhja Rajonale e Futbollit e Pejës mbajti këtë të premte Kuvendin e Rregullt Zgjedhor, në të cilin morën pjesë 18 nga gjithsej 24 delegatë të Kuvendit.

Gjatë punimeve të Kuvendit, LRF Peja bëri harmonizimin e statutit të kësaj Lidhjeje me statutin e Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërsa një ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe zgjedhja e kandidatit të propozuar për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Në bazë të vendimit të Bordit të LRF Peja të datës 12 dhjetor 2025 dhe në përputhje të plotë me dispozitat e statutit të FFK-së, u shpallën zgjedhjet për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së nga radhët e LRF Peja.

Delegatët e Kuvendit propozuan, Bakir Burri si kandidat për përfaqësues të Regjionit të Pejës në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së. Kjo kandidaturë u miratua unanimisht nga të gjithë delegatët e pranishëm.

Në fjalën e tij pasi mori mbështetjen e delegatëve të regjionit për një mandat tjetër si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Burri shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë, duke nënvizuar përkushtimin e vazhdueshëm për zhvillimin e futbollit në Regjionin e Pejës.

“Faleminderit për besimin. Kjo është një kënaqësi e madhe që të vazhdoj detyrën edhe për vitet në vijim dhe njëkohësisht një përgjegjësi e rëndësishme. Unë kam tentuar të jem afër jush dhe do të vazhdoj të jem pranë jush edhe në këtë mandat. Së bashku do të realizojmë synimet dhe objektivat tona për këtë rajon, me shpresën që me rritjen e futbollit tonë do të kemi gjithnjë e më shumë skuadra nga kjo trevë në Superligë. Unë do të jem në dispozicionin tuaj në çdo kohë”, tha ai. /Kosova.info/

Go to TOP