Bibliotekist në Gjilan dyshohet për keqpërdorim të pozitës, dëmton buxhetin me 19 mijë euro

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Gjilan, ka siguruar prova të besueshme për përfshirjen e dy personave të dyshuar në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas hetimeve, i dyshuari kryesor, një bibliotekist mashkull kosovar me kontratë të përhershme, nuk është paraqitur në vendin e punës për një periudhë të gjatë, duke përfituar megjithatë paga mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës. Ky veprim ka shkaktuar dëme financiare në vlerë prej 19,067.69 euro për periudhën 2023-tetor 2025.

I dyshuari i dytë, në cilësinë e personit zyrtar, nuk ka raportuar mungesën e bibliotekistit pranë autoriteteve kompetente, duke mundësuar vazhdimin e pagesave pa bazë ligjore, dhe duke u përfshirë gjithashtu në veprën penale të keqpërdorimit të pozitës.

Të dy të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë për nevoja të hetimeve të mëtejshme. /Kosova.info/


Go to TOP