Lushaku Sadriu: LDK nuk është parti e një njeriu, do të ringrihet me unitet dhe përgjegjësi
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku Sadriu, ka deklaruar se LDK nuk është dhe nuk do të jetë kurrë parti e një individi të vetëm, por një subjekt politik ku vendimmarrja buron nga anëtarësia dhe strukturat e saj demokratike.
Ajo ka theksuar se për LDK-në flasin, vendosin dhe gjykojnë anëtarët dhe organet e partisë, e jo emocionet e momentit apo presionet e jashtme. Sipas saj, kjo përbën forcën strukturore dhe trashëgiminë demokratike të LDK-së.
“LDK sot ka nevojë për qetësi, mendje të ftohtë dhe përgjegjësi kolektive. Ka nevojë për analizë të thellë, për modernizim dhe për unitet. Jo për përçarje, jo për thjeshtime dhe jo për gjykime të ngutshme,” ka deklaruar Lushaku Sadriu.
Ajo ka rikujtuar se LDK është një parti me histori shtetformuese, me vlera të qarta dhe me potencial real për t’u rikthyer si alternativë serioze politike për Kosovën. Sipas saj, ky rikthim mund të ndodhë vetëm duke ruajtur dinjitetin, demokracinë e brendshme dhe përgjegjësinë politike.
“LDK do të ringrihet me mend, me guxim dhe me unitet. LDK ka zemër të madhe,” ka përfunduar ajo. /Kosova.info/
