KMShK: Videoja për “fantazmën” në rrugët e Kosovës është e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale

Raportimet e publikuara në disa media për një të ashtuquajtur “fantazmë” që pretendohet se “shëtitet” nëpër rrugët e Kosovës janë të pasakta. Sipas Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), bëhet fjalë për një përmbajtje të krijuar përmes Inteligjencës Artificiale (AI).

KMShK ka bërë të ditur se ka pranuar shqetësime nga qytetarët lidhur me shpërndarjen e këtyre përmbajtjeve, të cilat janë paraqitur si lajme reale, pa verifikim të mjaftueshëm.

Në reagimin e tij, Këshilli ka theksuar se mediat duhet të tregojnë kujdes të shtuar në raportimin e përmbajtjeve të tilla duke i verifikuar ato para publikimit dhe duke shmangur shpërndarjen e materialeve të rreme, pasi këto mund të shkaktojnë panik dhe keqinformim te publiku.

KMShK u ka bërë thirrje mediave që raportimet të jenë të kujdesshme, korrekte dhe të bazuara në Kodin e Etikës së Gazetarëve duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë profesionale në informimin e saktë të qytetarëve. /Kosova.info/


Go to TOP