Për ENVERIN
Shkruan: Safet ZEJNULLAHU
Sot bëhen 27 vjet nga vrasja e Enver Malokut, udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK). Forca e kujtimit dhe ndjesia e dhimbjes për të rikthehet shumë shpesh, jo vetëm çdo 11 janar. Sepse, aq shumë bëri, aq shumë fjalë la, aq shumë mendime betonoi, sa s’ke si të mos e kujtosh e të mos e përmendësh. Institucioni që ai drejtoi dhe ai vetë, nuk mund të mohohet, ishin shtylla e informimit në vitet e territ informativ të imponuar me dhunë nga Serbia. QIK-u, Enveri dhe të gjithë gazetarët e tjerë që punuan në vitet ’90 e fituan një betejë të madhe. Betejën e vet. Të tjerët, politika e ushtria bënë dhe e fituan betejën e tyre. Të gjitha u bënë një betejë e përbashkët që solli lirinë e vendit.
Sot, në këtë ditë përkujtimi, po sjell një tekst të Enverit, shkruar në ditën e fundit të vitit 1998. Përnjëmend është profetik. Si gjithë tekstet e tjera të Enverit, në vlugun e përgatitjes sa më shpejt të gazetës së mbrëmjes “Informatori”, i kam lexuar para se t’i nisim për shtyp. Por, fuqinë e tyre të vërtetë e kam kuptuar më vonë, kur, me kolegun Muhamet Hamiti, përgatitëm librin “Gjuha e stuhisë”.
Pa u lexuar ky libër nuk do të kuptohet kurrë plotësisht epoka më e madhe e shqiptarëve – lufta për liri e pavarësi:
VITI I LUFTËS 1998 DHE VITI I LIRISË 1999
Viti 1998 qe vit lufte. Sot, në 31 dhjetorin e mjegullt të vitit 1998, në Podujevë varrosen dy ushtarë të UÇK-së, ndërsa në Prishtinë nuk ka mundur të botohet gazeta “Bujku”. Me një fjalë, çdo shqiptar në Kosovë, në çdo moment, është sulmuar dhe ka qenë në luftë me pushtuesin serb. Në fillim të vitit, në Kosovë erdhën qindra ose mijëra të rinj shqiptarë nga diaspora, duke shpenzuar shpesh të gjitha kursimet për rrugë e armatim, për të marrë pjesë në luftën e pashpallur. Shumë prej tyre vazhdojnë luftën, disa u kthyen në perëndim, ndërsa, disa mbetën përjetë në Kosovë me dheun e lehtë përmbi. Lufta prodhoi rreth 2000 varre të reja anembanë Kosovës, rreth 30.000 shtëpi të rrënuara e të djegura, rreth 500.000 të zhvendosur nga shtëpitë e veta… Në vitin e luftës, Kosovës i kërcënohej në momente katastrofa humanitare. Në prag të dimrit, nën qiellin e hapur gjendeshin rreth 400.000 shqiptarë. Agresioni serb përlante secilën ditë vendbanime të reja, duke shkaktuar masakra që tronditën botën dhe nxitën një ndërhyrje gjysmake. Ndërhyrja qe praktikisht hyrje në mes palëve në luftë, ose një hyrje ndërkombëtare në luftën e Kosovës.
Në luftë fitojnë më së shumti luftëtarët që e dinë se jeta dhe vdekja ndahen me një kufi të hollë. UÇK startoi në vitin e luftës me humbje fillestare të rënda, duke përfshirë edhe humbjen e Adem Jasharit, por brenda një kohe të shkurtër ajo e fitoi vendin kryesor në shoqërinë e Kosovës. Faktorët ndërkombëtarë e pranuan relativisht shpejt rolin vendimtar të saj për paqen e luftën në Kosovë.
Në luftë kanë fituar edhe politikanët që kanë kërkuar me vite inkuadrimin aktiv të bashkësisë ndërkombëtare në çështjen e Kosovës dhe zgjidhjen e saj. Formulimi i programit, i dëshirave dhe i kërkesave është i rëndësishëm në çdo shoqëri. Mirëpo, në vitin e luftës më nuk jemi në fazën e kërkesës, prandaj po shohim se si vendin e kërkuesve të lirisë po e zënë ata që luftojnë për ta bërë shtetin. Ata që veprojnë e luftojnë për shtet
janë kryesorët. Rreth tyre bashkohet populli, që bashkohej më parë rreth kërkuesve.
Viti 1998 ka qenë viti i luftërave politike. Partitë e vjetra e të reja ngritën lart flamujt e luftës me fjalë ne mes vetes, duke pranuar edhe poshtërimin e ofendimin e vet për hatër të dëmeve për kundërshtarin. Në botën shqiptare mund të shënohen 1000 dështime, por vështirë se mund ta zërë tjetërkush vendin e parë në këtë listë pos politikanëve e udhëheqësve, me votë të popullit apo me votë partie.
Viti i luftës dha numër të madh luftëtarësh. Një shoqëri e frikësuar qe 2000 vjet nuk pati ende guxim t’ua urojë asnjë festë ushtarëve të vet, djemve të rinj qe edhe në ndërrimin e moteve do të qëndrojnë në roje të vijave të frontit të luftës. Viti i luftës ka qenë në të vërtet vit i tyre, vit i UÇK-së, vit i rritjes dhe i legalizimit të ushtrisë së Kosovës në një luftë të ashpër. Viti i luftës është vit i luftëtarëve. Luftëtarët e fusin në jetën e Kosovës faktorin e ri që ka ndryshuar përnjëherë të gjitha raportet brenda shoqërisë dhe profesioneve.
Nga viti i luftës 1998, të shpresojmë se po kalojmë në vitin e lirisë 1999. Të gjallët le të jenë të lumtur se janë gjallë, pavarësisht prej dhimbjes, pikëllimit e trishtimit që na është ulur në sofrat, shtëpitë, vendbanimet dhe në vendin tonë.
Në këtë kuptim: Gëzuar Vitin e Ri 1999, vitin e lirisë!
