Veliu: Dorëheqja është akt force, jo dobësie – dera për ndryshim është e hapur
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë nga qytetarët që, sipas tij, nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet.
Në një deklarim publik, Veliu thekson se humbja e LDK-së kërkon reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike duke nënvizuar se humbjet e rënda nuk mund të relativizohen dhe as të kalohen me heshtje.
“Si kontribuues i LDK-së, ndjej obligim moral dhe politik të them se humbjet e rënda nuk mund të relativizohen. Në demokraci, përgjegjësia është parakusht për besim, ndërsa dorëheqja nuk është dobësi, por akt force dhe pjekurie politike,” ka deklaruar Veliu.
Ai ka kërkuar që partia të mos merret me justifikime në studio televizive, por të ndërmarrë hapa konkretë duke përfshirë analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes, hapje të brendshme dhe funksionalizim të demokracisë partiake, si dhe nisjen e një procesi të ri zgjedhor në të gjitha nivelet e LDK-së.
Sipas Veliut, vetëm përmes ndryshimit të vërtetë mund të rikthehet besimi i anëtarësisë dhe elektoratit, ndërsa koha, siç thotë ai, kërkon vendime të guximshme dhe jo mbrojtje të status quo-së.
“LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidatë të përhershëm,” përfundon reagimin e tij Agim Veliu duke uruar që Zoti ta bekojë Lidhjen Demokratike të Kosovës. /Kosova.info/
