E kujtojmë Enver Malokun në përvjetorin e vrasjes së tij
Shkruan: Muhamet HAMITI
Si sot, para 27 vjetësh, më 11 janar 1999, u vra në një atentat në Prishtinë miku im Enver Maloku, gazetari kryesor politik i kohës, bashkëpunëtor i Presidentit Rugova.
Enver Maloku ishte shef i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), agjencisë së lajmeve të Kosovës, ku punonim bashkë në vitet ‘90-të. Enveri i kishte shpëtuar atentatit të parë, më 18 korrik 1998, kur u shkrepën plumba drejt tij, para banesës së tij në Breg të Diellit në Prishtinë. Nuk qe ndalur në punën e vet, bile punonte më me intensitet, sikur ta dinte që ditët i kishte të numëruara. Jeta e tij në ata gjashtë muaj ishte kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar, sigurisht për shkak të veprimtarisë së tij shembullore profesionale dhe kombëtare.
Një pjesë e punës së tij të asaj kohe përmblidhet në librin “Gjuha e stuhisë”, që bashkë me kolegun tim në QIK, Safet Zejnullahun, e botuam më 2002. Gjuha e stuhisë e dëfton kohën por edhe tipin e shkrimit të Enver Malokut, të mprehtë, të qartë, të gjallë, shqip.
Profetik ishte shkrimi i tij i mbramë për vitin 1998: “Viti i luftës 1998 dhe viti i lirisë 1999”.
“Enver Maloku më shumë se 10 vjet ditën e natën lëshoi dhe afirmoi në botë mesazhin e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci”, ka thënë Presidenti Ibrahim Rugova, i cili më 23 dhjetor 2004 e ka dekoruar Malokun me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”. Presidentja Atifete Jahjaga i ka dhënë Urdhrin “Hero i Kosovës”.
E kujtoj me dhembje mikun tim, Enver Malokun!
