Abdixhiku: Mercenarët u vetëlajmëruan – LDK nuk blihet, nuk shitet dhe nuk frikësohet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj, siç i quajti ai, “sulmeve të paguara nga jashtë” duke theksuar se ata që përpiqen të dëmtojnë LDK-në janë vetëzbuluar pa qenë nevoja të përmenden me emër.
“Mercenarët u lajmëruan vet. Pa i përmendur. Siç thotë populli, u vetëlajmëruan ata me mizë mbas veshi”, ka deklaruar Abdixhiku duke shtuar se reagimet e tyre tregojnë mënyrën se si mendojnë dhe botëkuptimin që përfaqësojnë.
Sipas tij, këta individë besojnë se politika sillet rreth krimit, frikës dhe shitblerjes, sepse vetë jetojnë brenda një realiteti të tillë. “Mendojnë se të gjithë shiten, sepse vetë janë për shitje. Mendojnë se të gjithë frikësohen, sepse vetë jetojnë nga frika. Ky është botëkuptimi i tyre”, ka theksuar ai.
Abdixhiku ka qenë i prerë se një mentalitet i tillë nuk do të ketë vend në LDK, as si fjalë, as si mendim, e aq më pak si ndikim. Ai ka riafirmuar bindjen e tij në një politikë që nuk blihet dhe në njerëz që nuk shiten duke nënvizuar se anëtarësia e LDK-së mbetet e paprekshme nga presionet dhe ofertat e jashtme.
“Unë besoj në politikë që s’blihet. Në fjalë që s’paguhen. Në njerëz që nuk shiten. Dhe anëtarësia e LDK-së nuk shitet e nuk blihet. Kjo na dallon”, ka deklaruar kreu i LDK-së.
Ai ka paralajmëruar se do ta mbrojë partinë dhe secilin anëtar të saj nga çdo sulm i orkestruar, madje edhe nëse mbetet i vetëm në këtë betejë. “Po, do ta mbrojë LDK-në dhe secilin anëtar tonin nga sulmet e paguara nga jashtë. Edhe po të jem i vetëm”, ka theksuar Abdixhiku.
Në fund, ai ka shtuar se sulmet ndaj LDK-së do të vazhdojnë, pasi sipas tij, disa nuk kënaqen me partinë e tyre dhe synojnë të shtrijnë ndikimin edhe mbi LDK-në. “Nuk ka gjasë. Anëtarësia e LDK-së ka tjetër vizion”, ka përfunduar ai duke theksuar se zhurma mund të paguhet, por e vërteta jo – dhe se, sipas tij, e vërteta gjithmonë fiton. /Kosova.info/
