Paraburgim për 4 të pandehur, masa sigurie për 35 të tjerë në rastin e BKS
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për katër nga 39 të arrestuarit në rastin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Ndaj 35 të pandehurve të tjerë, është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor.
Sipas njoftimit të Gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake Fatmir Krasniqi ka vendosur që të pandehurit – ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtori i Financave në BKS, Valon Berisha, F.S. dhe Y.Ç. të mbahen në paraburgim deri më 8 shkurt, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale të natyrës ekonomike dhe të falsifikimit.
Gjykata bën të ditur se S.M. dhe V.B. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale të keqpërdorimit të besimit në vazhdimësi dhe keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike, ndërsa ndaj V.B. rëndon edhe dyshimi për falsifikim të dokumenteve në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi. F.S. dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe keqpërdorim të besimit, ndërsa Y.Ç. për keqpërdorim të besimit në vazhdimësi.
Ndërkohë, 35 të pandehurit e tjerë dyshohen për veprën penale të keqpërdorimit të besimit në ndihmë. Ndaj tyre, Gjykata ka caktuar masën e paraqitjes së rregullt në stacion policor dhe masën e ndalimit për t’iu afruar Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe personave të caktuar, në kohëzgjatje prej një muaji, deri më 8 shkurt.
Sipas vendimit, të pandehurit obligohen që një herë në javë të paraqiten në stacionin policor përkatës sipas vendbanimit, ndërsa paralajmërohen se mosrespektimi i këtyre masave do të rezultojë me caktimin e paraburgimit.
“Caktimi i paraburgimit për katër (4) të pandehurit në këtë fazë të procedurës është i domosdoshëm me qëllim të parandalimit të arratisjes apo të pengojnë zhvillimin e procedurës hetimore. Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi masës së sigurisë për të pandehurit është oportune dhe e nevojshme, për mbarëvajtjen e procedurës hetimore, sigurimin e prezencën së të pandehurve në procedurë hetimore, parandalimin që të pandehuri të arratisen apo të ndikojë në dëshmitaret dhe provat e rastit”, thuhet në njoftim.
