A po rrënohet karriera politike e Edi Ramës – a ishte kthyer në engjëll mbrojtës të Serbisë!?

Shkruan: Idriz MORINA

Ishte si një lajm, që u konsiderua bombastik, se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, më 20 janar është i detyruar të udhëtojë drejt SHBA-së.

Informacioni nuk jep detaje, por thekson se Rama shkon si i dyshuar, i përmendur për rastin Mekgonigall, dhe këtë e argumenton media, se ai do të shkojë i shoqëruar me një avokat.

Ndërkohë, Rama sapo është takuar në kryeqytetin francez me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, në Samitin e Parisit, i njohur si Koalicioni i Vullnetmirëve për Ukrainën.

Nuk kanë mbetur më shumë se dhjetë ditë deri në vërtetimin e këtij lajmi. Por, paralelisht me takimet e Ramës në Paris, rivali i tij Sali Berisha, ka mbledhur të premten në një tryezë të gjithë ata që mund të ndihmojnë në krijimin e një aleance kundër Ramës, në fakt, për zëvendësimin e qeverisë së tij, nga një qeveri teknike.

Nuk kemi pse të projektojmë si do të ndodhë, meqë kjo është ‘kompetencë’ e shërbimeve sekrete.

Cila ishte afera “MekGonigal”?

Afera “McGonigal”, i referohet rastit, në të cilin një ish-agjent i zbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, akuzohet për pranimin e parave nga një oligark i sanksionuar rus, Oleg Deripaska dhe nga një zyrtar i shtetit shqiptar.

Ish agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal është dënuar për dy rastet me 6.5 vjet apo 78 muaj burg, në dy procese të ndara.

Fillimisht u dënua në dhjetor të vitit 2023 me 4 vite e 2 muaj apo 50 muaj burg pasi akuzohej se kishte bashkëpunuar me shtetasin rus, oligarkun Oleg Deripaska për largimin e emrit të tij nga lista e zezë, e sanksioneve amerikane.

Në shkurt të vitit 2024 ai mori një dënim tjetër. Gjykata federale e Uashingtonit e dënoi me 28 muaj burg ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, pasi u vërtetua se mori 225 mijë dollarë nga shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe për mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë kryeministrin Rama.

Në shtator 2023 zoti McGonigal e kishte pranuar fajësinë në gjykatën federale në Uashington, duke siguruar gjykim të shpejtë sipas marrëveshjes me Prokurorinë, në këmbim të rrëzimit të 8 pikave të tjera të aktakuzës.

Sipas raportimeve, ai ka pranuar të gjitha akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, edhe kontaktet me kryeministrin Rama etj.

Në aktakuzën ndaj MekGonigal, sipas mediave amerikane, përmendet 14 herë emri i kryeministrit Edi Rama, meqë dyshohet se McGonigal ia ka kryer disa shërbime në favor të tij, dhe se kjo ka shërbyer për të goditur Partinë Demokratike.

Por, a është fundi i rrugës në qeverisje, apo vetëm fillimi i proceseve gjyqësore për Ramën?

Nuk mund ta parashikojmë se kur mund të bie Rama! Por, është e pamohueshme tashmë se ai është një nga figurat më të korruptuara dhe më të komprometuara në Shqipëri, të cilin e presin procese gjyqësore të inicuara dhe nga SPAK.

Ai është faktori kryesor që zv.kryeministrja Balluku ende nuk është arrestuar, dhe lirinë e saj po mundohet ta sigurojë, duke mos ia hequr imunitetin shumica socialiste në Kuvend. Po ashtu ai akuzohet se e ka instrumentalizuar Gjykatën Kushtetuese, e cila e hodhi poshtë vendimin e gjykatës së rregullt, për pezullimin nga detyra të Ballukut, sipas kërkesës së Prokurorisë.

Rama akuzohet se është treguar njëri nga drejtuesit e shtetit, që ka lënduar më së shumti shqiptarët e Kosovës, jo vetëm duke u bërë pjesë e protagonistëve në projektin për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi, në emër të këmbimit të territorit.

Menjëherë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ai akuzohet se u shndërrua si në një zëdhënës të Serbisë, duke e mbrojtur dhe fuqizuar rolin e saj të dobësuar në raport me Perëndimin, si aleate e Rusisë!

Kosova kishte shansin për fuqizimin e pozitës së saj në raport me Serbinë, por në vend të krijimit të epërsisë diplomatike, u kthye në shigjetim, për t’i bërë lëshime të reja Serbisë, të kthyera në destruktivitet ndaj Kosovës!


Go to TOP