Sadiku: Deputet me përgjegjësi, zë i ndërmarrësve dhe avokat i digjitalizimit në Kuvend
Deputeti i zgjedhur Ermal Sadiku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe besimin e dhënë duke e cilësuar mandatin e tij si obligim dhe përgjegjësi të madhe, e jo thjesht si votë apo përkrahje politike.
Në një mesazh drejtuar mbështetësve, Sadiku ka theksuar se të qenit deputet i shtetit tënd është njëkohësisht nder i madh dhe barrë e rëndë, pasi çdo fjalë dhe çdo vendim bart peshë dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Ai ka bërë të ditur se në garën politike ka hyrë me vendimin për të mos heshtur dhe për të shtyrë përpara, me gjithë kapacitetin e tij, dy shtylla që i konsideron thelbësore për të ardhmen e Kosovës: dixhitalizimin dhe ndërmarrësinë.
Sipas Sadikut, digjitalizimi nuk është luks apo trend, por domosdoshmëri për ndërtimin e një shteti funksional, të ndershëm dhe efikas. Ai ka vlerësuar se pa sisteme digjitale nuk mund të ketë shtet modern, por vetëm burokraci, padrejtësi dhe humbje kohe e parash për qytetarët dhe bizneset.
Duke folur për ndërmarrësinë, Sadiku ka theksuar se sektori privat është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik dhe se nuk mund të ketë shtet të fortë pa sektor privat të fortë. Ai ka nënvizuar rolin e bizneseve, nga ato të vogla familjare deri te ndërmarrjet e mëdha dhe startup-et duke i quajtur heronjtë e vërtetë të Kosovës së pasluftës.
“Sektori privat e mbajti këtë vend gjallë kur shteti ishte i dobët, krijoi vende pune, pagoi taksa dhe rroga, dhe mbajti shpresën gjallë”, ka deklaruar Sadiku duke shtuar se pavarësisht këtij kontributi, bizneset shpesh janë anashkaluar apo edhe sulmuar.
Ai ka zotuar se në Kuvendin e Kosovës do të jetë zëri i ndërmarrësve dhe i atyre qytetarëve që nuk kanë kohë të merren me politikë, sepse janë të angazhuar në mbijetesë dhe zhvillim duke kërkuar jo privilegje, por rregulla të drejta dhe mundësi të barabarta.
Sadiku ka theksuar se në politikë nuk ka hyrë për pushtet, por për përgjegjësi, jo për ruajtjen e status quo-së, por për ndryshimin e saj përmes vendimeve të guximshme dhe zgjidhjeve konkrete.
Në fund, ai ka falënderuar votuesit, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryetarin e saj, Lumir Abdixhiku, për hapësirën dhe mbështetjen e dhënë për figura të reja duke u zotuar se këtë rrugë do ta ecë me nder, punë dhe integritet. /Kosova.info/
