Hajra: LDK-ja po degradohet nga brenda, peng i një “elite” pa vizion
Naim Hajra nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dega në Mitrovicë, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit brenda partisë duke vlerësuar se LDK-ja, një forcë politike me traditë shtetformuese, sot po pëson degradim të thellë të brendshëm.
Sipas Hajres, problemi kryesor i LDK-së nuk janë kundërshtarët politikë, por një rreth i vogël njerëzish të vetëshpallur “elitarë”, të cilët, siç shprehet ai, kanë zëvendësuar vizionin politik me ambicie personale dhe interesin publik me rehati private. Ai thekson se kjo kastë, në publik shfaq lojalitet ndaj kryetarit të partisë, ndërsa në prapaskenë vepron kundër tij duke minuar udhëheqjen dhe unitetin e brendshëm.
Hajra kritikon ashpër edhe disa deputetë dhe anëtarë të Kryesisë së LDK-së, për të cilët thotë se janë shkëputur plotësisht nga baza dhe qytetarët. “Ata nuk zbresin në terren, nuk komunikojnë me votuesit dhe aktivitetin politik e zhvillojnë në rrethe të mbyllura, mes kafeve të vogla të Prishtinës, larg halleve reale të njerëzve,” shprehet ai.
Sipas tij, në këto rrethe të mbyllura ndërtohen qëndrime artificiale, ndahen role dhe mbrohen interesa personale, e jo parime politike. Hajra thekson se kjo “elitë” flet për ideale, por udhëhiqet nga materializmi, shfaqet si e guximshme, por në realitet ka frikë nga ndryshimi dhe nga llogaridhënia.
Ai vlerëson se rezultati zgjedhor prej 13 për qind nuk është rastësi, por pasojë direkte e kësaj qasjeje “elitare”. Megjithatë, Hajra nënvizon se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, edhe pse ai mban pjesën e tij të përgjegjësisë. Sipas tij, i rrethuar nga njerëz pa vizion dhe të interesuar vetëm për ruajtjen e rehatisë së tyre, Abdixhiku u shty drejt një qëndrimi politik të paqartë, të karakterizuar me “as me pozitën, as me opozitën”.
Në fund, Naim Hajra thekson se shpresa e LDK-së nuk gjendet në rrethet e mbyllura elitare, por te kuadrot e reja – djem dhe vajza me integritet, dije, përvojë dhe lidhje reale me qytetarët. Ai bën thirrje për reformë të thellë dhe pastrim të brendshëm duke paralajmëruar se, pa këto ndryshime, LDK-ja rrezikon të mbetet peng i mediokritetit dhe vetkënaqësisë së një elite të shkëputur nga realiteti. /Kosova.info/
