Gashi: Vendimi i KQZ-së për fletëvotimet pas afatit përbën shkelje ligjore

Ilir Gashi, përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka deklaruar se PDK ka fituar betejën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për sigurimin e mjeteve financiare për dërgimin e fletëvotimeve origjinale për secilin votues në mërgatë, pavarësisht kundërshtimeve të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV).

Sipas Gashit, përfaqësuesit e VV-së kishin bërë thirrje që të mos ndaheshin këto mjete, por PDK, siç tha ai, ka këmbëngulur dhe ka realizuar këtë obligim ligjor duke garantuar të drejtën e votës për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

Ai ka theksuar se, në anën tjetër, propozimi për pranimin e fletëvotimeve pas afatit ligjor është miratuar në KQZ me vetëdije se po bëhej shkelje e ligjit. Gashi ka shtuar se ky vendim është arsyetuar me pretendimin se KQZ nuk duhet të keqkuptohet si institucion kundër mërgatës.

“Megjithatë, shkelja ligjore nuk mund të justifikohet me arsyetime politike apo emocionale,” ka deklaruar Gashi duke kërkuar që organet kompetente të vendosin në mënyrë meritore dhe në përputhje me ligjin lidhur me vendimin e KQZ-së për pranimin e fletëvotimeve jashtë afatit ligjor.

Sipas tij, respektimi i ligjit dhe standardeve zgjedhore është thelbësor për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe besimit të qytetarëve në demokraci.

Por, Alban Krasniqi – anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, e cila i fitoi bindshëm zgjedhjet përfshirë edhe votat me postë – e akuzoi PDK-në për ankesë të “turpshme” kundër mërgatës.

“Vetë e votuan në KQZ procedurën dhe afatet, e tash kur mërgata u vetorganizua dhe arriti të sjellë fletëvotimet nga gjithandej globit, këtyre u djeg ky fakt duke harruar që humbjen nuk e kanë nga mërgata, e as nga votuesit në Kosovë, por nga sjellja, veprimet dhe vendimet e dëmshme të vet PDK-së”, shkroi Krasniqi në Facebook të enjten. /Kosova.info/


Go to TOP