Reshjet e dendura pa dëme në Maqedoninë e Veriut

Reshjet e shumta të shiut që kanë rënë gjatë 24 orëve të fundit nuk kanë shkaktuar dëme në Maqedoninë e Veriut.

Në rajonin e Malësisë së Sharrit ka pasur rritje të nivelit të ujit nëpër përrenj dhe në lumin Shkumbin që kalon përmes Tetovës.

Rrugës për në Banjën e këtij qyteti ka pasur rrëshqitje të dheut dhe të gurëve, të cilat janë larguar nga kalimtarët dhe organet komunale.

“Dje ka pasur reshje të mëdha këtu. Dje kanë rënë më shumë gurë, kanë rënë prej lart, herë pas here bien. Faleminderit prej komunës që erdhi bagjeri dhe e pastroi këtë rrugë këndej. Edhe ne kalimtarët që kalojmë për çdo ditë e pastrojmë”, thotë një qytetar.

“Situata ka qenë e qetë, nuk ka pasur dëme apo vërshime. Në disa raste ka pasur rrëshqitje të lehtë të dheut në rrugën e Banjës, por edhe aty normalisht është intervenuar menjëherë, por përsëri shkaku i shiut janë paraqitur raste të tilla”, thotë Albion Alili, zëdhënës i Komunës së Tetovës.

Edhe lumi Lepenc, që hyn nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, ka pasur rritje të nivelit të ujit, por nuk janë shkaktuar dëme nga rrjedha e tij.

Disa vite më parë, nga vërshimet që patën përfshirë Malësinë e Tetovës dhe Hasanbegun e Shkupit, pati edhe viktima.


Go to TOP