Prishtina përballet me reshje shiu e bore dhe ngrica – Apel për kujdes të shtuar në qarkullim
Institucionet e Kryeqytetit kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, bazuar në prognozën më të fundit meteorologjike për 24 orët e ardhshme në rajonin e Prishtinës.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ditës së sotme dhe nesër priten reshje shiu herë pas here, të cilat në disa lokacione mund të jenë më intensive. Gjatë orëve të natës, reshjet pritet të shndërrohen në borë, fillimisht në zonat më të larta, ndërsa më pas edhe në viset më të ulëta të Kryeqytetit.
Temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme duke u luhatur nga -2°C deri në -4°C, ndërsa në zonat kodrinore-malore, si Gollaku dhe Llapi, temperaturat mund të zbresin deri në -6°C. Këto kushte krijojnë rrezik për formimin e ngricave, sidomos në rrugët e lagështa.
Autoritetet rekomandojnë kujdes të veçantë gjatë qarkullimit rrugor, si për drejtuesit e automjeteve ashtu edhe për këmbësorët, veçanërisht në orët e mbrëmjes dhe të mëngjesit. Kujdes shtesë kërkohet edhe në zonat periferike dhe ato më të larta të Kryeqytetit.
Qytetarët ftohen të bashkëpunojnë me institucionet komunale, të respektojnë udhëzimet zyrtare dhe të raportojnë çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike.
Institucionet e Kryeqytetit sigurojnë se ekipet përgjegjëse janë në gatishmëri dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të informuar dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë këtyre kushteve të motit. /Kosova.info/
