IKSHPK: Gjendja e ujit të pijes në Kosovë pas shirave – disa rajone ende me kufizime

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, po e monitoron nga afër situatën e ujit të pijes në të gjithë territorin e Kosovës pas reshjeve të fundit të shiut.

IKSHPK njofton se përveç marrjes së mostrave të rregullta dhe të jashtëzakonshme të ujit dhe analizave laboratorike, ekipet janë në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë rajonale të ujësjellësit, me qëllim që qytetarëve t’u sigurohet sa më shpejt ujë i sigurt për pije.

Sipas të dhënave të datës 7 janar 2026, gjendja e furnizimit me ujë të pijes në Kosovë paraqitet si më poshtë:

Rajoni i Prishtinës

Fabrika e ujit në Shkabaj dhe ajo në Bivolak aktualisht nuk janë funksionale për shkak të turbullirës së lartë të ujit në hyrje. Ndërkohë, sistemi i ujit në Graçanicë/Badovc dhe ai në Albanik/Batllavë funksionojnë normalisht. Uji në rrjet po monitorohet vazhdimisht dhe për momentin nuk raportohet ndonjë problem me cilësinë e ujit të pijes.

Rajoni i Prizrenit

Burimi i ujit nga “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit është lëshuar vetëm për nevoja sanitare dhe nuk konsiderohet i sigurt për pije. Burimet Cvilen dhe Soc janë të përdorshme. Në Suharekë dhe Malishevë, uji i rrjetit nuk rekomandohet për pije, ndërsa në Dragash deri më tani nuk ka probleme me ujin e pijes.

Rajoni i Gjilanit

Në qytetin e Gjilanit, uji i pijes është i sigurt. Në Kamenicë, konkretisht në fshatin Berivojcë, janë evidentuar nivele të rritura të nitrateve dhe qytetarët janë udhëzuar të mos e përdorin ujin për pije. Në Viti, furnizimi me ujë për pije është ndërprerë për shkak të turbullirës.

Rajoni i Pejës

Pas reshjeve, turbullira janë vërejtur në disa burime uji. Në Deçan dhe në zonën e Jarinës në Klinë, furnizimi me ujë është ndërprerë që nga dita e djeshme, ndërsa për nevoja janë aktivizuar puset ekzistuese. Në komunën e Pejës, turbullirat në burimin e Drinit të Bardhë në Radac janë zvogëluar dhe furnizimi aktualisht vazhdon normalisht.

Rajoni i Ferizajt

Sipas raportimeve, uji i pijes në Ferizaj është brenda standardeve dhe konsiderohet i sigurt për konsum.

Rajoni i Gjakovës

Furnizimi nga rrjeti i KRU Gjakova është i sigurt për pije dhe analizat laboratorike nuk kanë treguar prani të baktereve të dëmshme. Megjithatë, probleme vazhdojnë në disa burime lokale si Rekë e Keqe, Demjan, Opterushë, Hoqe e Madhe dhe Zaqishtë, ku uji nuk duhet të përdoret për pije.

Rajoni i Mitrovicës

Sipas KRU Mitrovica, uji nuk është dhe nuk do të lëshohet për pije për një periudhë të caktuar, për shkak të turbullirës së madhe që nuk mund të trajtohet si duhet. Për pasojë, uji aktualisht nuk është i sigurt për konsum human.

IKSHPK u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar për shëndetin e tyre duke rekomanduar që uji nga bunarët e pambrojtur të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative të sigurta. Po ashtu, këshillohet që ushqimi të ruhet në vende të sigurta, të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut dhe të ndiqen udhëzimet zyrtare të institucioneve komunale për përdorimin e ujit. /Kosova.info/


Go to TOP