Rama: Teatri “Dodona”, kujtesë e gjallë e fëmijërisë së Prishtinës, rikthehet pas renovimit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar rikthimin e Teatrit për Fëmijë “Dodona” pas përfundimit të renovimit duke e cilësuar atë si një nga hapësirat më të rëndësishme të kujtesës kolektive për breza të tërë fëmijësh të kryeqytetit.
Rama theksoi se pas renovimit, ai u rikthye për të shijuar një shfaqje në këtë teatër duke shprehur urime dhe mirënjohje të sinqertë për aktorët, ekipin organizativ dhe drejtoreshën e institucionit, të cilët, sipas tij, po e mbajnë gjallë shpirtin e Teatrit “Dodona”.
“Ju nuk krijoni vetëm shfaqje, ju krijoni kujtime që zgjasin gjithë jetën”, ka shkruar Rama duke nënvizuar rëndësinë e artit skenik për fëmijë në formimin kulturor dhe emocional të gjeneratave të reja.
Ai shtoi se Teatri “Dodona” mbetet një simbol i veçantë i Prishtinës dhe një hapësirë ku arti, edukimi dhe kujtimet ndërthuren duke i dhënë qytetit një vlerë të qëndrueshme kulturore. /Kosova.info/
