Rama për Davide Tizzano: Prishtina humbi një mik të madh të sportit
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka shprehur pikëllimin e thellë për ndarjen nga jeta të Davide Tizzano, President i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) duke e cilësuar atë si një udhëheqës me vizion dhe një mik të çmuar të Prishtinës.
Në mesazhin e tij të ngushëllimit, Rama thekson se, në emrin e tij dhe të Qytetit të Prishtinës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ICMG-në, familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Tizzanos, në këto çaste të vështira.
“Si President i ICMG-së, Davide Tizzano shërbeu me përkushtim, integritet dhe vizion duke forcuar vlerat e paqes, bashkëpunimit dhe unitetit përmes sportit në gjithë Mesdheun,” thuhet në mesazh.
Rama ka veçuar në mënyrë të posaçme mbështetjen dhe kontributin e Tizzanos ndaj Prishtinës, të cilat u kurorëzuan me vendimin historik që Kryeqyteti të jetë nikoqir i Lojërave Mesdhetare 2030 – një moment i rëndësishëm jo vetëm për qytetin, por për të gjithë Kosovën.
Ai ka rikujtuar gjithashtu trashëgiminë e Davide Tizzanos si kampion i dyfishtë olimpik dhe si një udhëheqës i respektuar sportiv duke theksuar se vepra dhe angazhimi i tij do të mbeten burim i qëndrueshëm frymëzimi për brezat e ardhshëm.
“Në këto çaste të vështira, mendimet tona janë me të gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të punojnë përkrah tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij,” përfundon mesazhi i Kryetarit Rama. /Kosova.info/
