Rryma fiket, dyshimet ndizen/ A po sabotohet furnizimi për ta goditur Qeverinë para diasporës?
Në disa fshatra të Komunës së Vitisë janë paraqitur probleme serioze me furnizimin me energji elektrike, ku shumë familje kanë mbetur me vetëm një fazë të rrymës, duke shkaktuar vështirësi të shumta në jetën e përditshme, veçanërisht gjatë ditëve kur diaspora ka ardhur në Kosovë për pushime.
Sipas informatave të siguruara në terren, dyshohet se në disa trafo është ndërprerë qëllimisht njëra nga fazat dhe është pamundësuar qasja në to, përmes ndërrimit të dryrave, çka ka ngritur shqetësime serioze tek banorët lokalë. Këto veprime kanë shkaktuar dëme teknike, pakënaqësi dhe kanë krijuar perceptimin e mungesës së furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Redaksia e Kosova Infos ka kontaktuar edhe qendrën përkatëse në Prishtinë, nga ku na është bërë e ditur se nuk ekziston asnjë urdhër zyrtar për veprime të tilla dhe se, sipas tyre, nuk është raportuar ndonjë problem i përgjithshëm në sistem. Nga atje jemi udhëzuar që rasti të paraqitet në institucionet e rendit për trajtim të mëtejmë.
Kjo situatë po ndodh në një moment të ndjeshëm politik, në prag të fushatës zgjedhore, kur diaspora ndodhet në Kosovë dhe pritet të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Në të njëjtën kohë, në diskursin publik dhe gjatë paraqitjeve politike nga subjektet opozitare, po promovohet narrativa se Kosova po përballet me mungesë të energjisë elektrike dhe se qeveria aktuale është e paaftë për ta furnizuar vendin me rrymë.
Bazuar në rrethanat dhe kohën kur kanë ndodhur këto veprime, janë ngritur dyshime se problemet me rrymën në disa zona mund të jenë orkestruar për të krijuar një situatë artificiale, e cila synon ta paraqesë Kosovën dhe institucionet e saj në dritë negative, veçanërisht para diasporës.
Njohës të çështjeve publike vlerësojnë se çdo ndërhyrje e paautorizuar në infrastrukturën energjetike përbën shkelje serioze dhe duhet të hetohet nga organet kompetente, në mënyrë që të sqarohet nëse kemi të bëjmë me neglizhencë teknike apo me veprime të qëllimshme për përfitime politike.
