Zgjohu, Drenicë, sepse dinjiteti yt është busulla e Kosovës

Shkruan: Astrit Gashi

Të nderuar bashkëkombës të Drenicës,
ju që jeni palca e paluhatshme e shtetformimit dhe altari ku u poq liria e Kosovës.

Drenica asnjehere nuk ka luftuar vetëm për vete. Drenica ka luftuar për Kosovën mbarë. Gjaku që u derdh në Prekaz, Likoshan, Qirez, Abrinë e gjetkë nuk ishte për mandate, as për lista të mbyllura, por për lirinë e çdo qytetari nga Dukagjini në Anamoravë. Prandaj, askush sot nuk ka të drejtë ta trajtojë Drenicën si pronë politike apo si rezervuar votash.

Historia na mëson se liria nuk rrezikohet vetëm nga armiku i jashtëm; ajo shpesh zvetënohet nga harresa e brendshme. Sot, Drenica gjendet para një paradoksi të dhimbshëm: ajo që i dha kombit drejtimin moral përmes sakrificës, trajtohet si periferi pa zë, si terren që duhet shfrytëzuar, jo respektuar.

Për dekada, ju e keni dhënë besimin si akt besatimi. Por ky besim është keqpërdorur nga oborret e mbyllura të Prishtinës, ku politika nuk shihet më si shërbim ndaj idealit, por si tregti mandatesh. Emrat nuk burojnë nga vullneti i kullave tuaja, por nga kalkulime të ftohta të atyre që Drenicën e shohin vetëm si mjet për mbijetesën e tyre politike.

Është një taktikë e vjetër sa vetë pushteti: vendosja e ndonjë emri nga familjet e ndritura për të mbuluar zbrazëtinë morale të shumicës. Ky është abuzim me historinë. Një mbiemër i madh nuk mund të shërbejë si vello për ata që nuk kanë as legjitimitet qytetar, as vizion kombëtar. Lavdia e së kaluarës nuk guxon të shndërrohet në monedhë për mediokritetin e së tashmes.

Kur vizioni zbehet dhe energjia shteron, politika kthehet në rutinë të lodhur. Kur kandidatët vijnë te ju jo me përulësi, por me arrogancën e atij që e quan votën tuaj “të garantuar”, ata nuk ju respektojnë ata ju përdorin. Dhe kush e përdor Drenicën, e përdor Kosovën.

Vota nuk është shprehi mekanike. Ajo është vullnet i lirë në veprim. Në filozofinë tonë kombëtare, njeriu i lirë nuk i nënshtrohet atij që e përbuz. Të votosh kundër arrogancës është akti më i lartë i përgjegjësisë qytetare dhe dashurisë për vendin. Është kirurgjia e domosdoshme për ta shpëtuar trupin politik që po lëngon.

Këtë të diel, mos lejoni që zëri juaj të përdoret nga mercenarë të politikës, që s’kanë punuar asgjë për ju, por gjithçka për veten e tyre. Mos votoni për ata që ju shohin si numra dhe jo si themel të shtetit. Vota juaj nuk blihet me premtime të vjetra, as nuk merret peng me emra të huazuar.

Nuk ka rënie më të madhe sesa kur i liri pranon t’i shërbejë atij që nuk e përfaqëson. Duke refuzuar mashtrimin, ju nuk po tradhtoni një emblemë përkundrazi, po e mbroni shpirtin e saj nga ata që e kanë shndërruar në biznes personal.

Prandaj, Drenicë: ti ke në dorë aktin më të fuqishëm të lirisë votën.
Përdore për të ndëshkuar ata që nuk janë zëri yt cilido që të jetë ai.

Go to TOP