Abdixhiku nga Vitia: Qytet i bashkuar dhe i përgatitur për ndryshimin që i duhet Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim të madh mobilizues në Viti, ku pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve dhe mërgatës i dha aktivitetit një energji të veçantë politike.
“Në sallë e në shesh, ishte krejt e veçantë. Një qytet i gjallë, i bashkuar dhe i vendosur në kërkim të ndryshimit të madh që i duhet Kosovës sot”, ka deklaruar Abdixhiku duke theksuar se atmosfera në Viti është dëshmi e një vetëdijeje qytetare që po rritet në mbarë vendin.
Sipas tij, kjo energji nuk është rastësi, por shenjë e qartë se qytetarët po kërkojnë drejtim të qartë, institucione funksionale dhe një politikë që i shërben drejtpërdrejt qytetarit. Abdixhiku ka vlerësuar gjithashtu rolin e mërgatës duke e cilësuar përfshirjen e saj si përforcim të rëndësishëm për LDK-në në këtë fazë vendimtare politike.
Ai theksoi se “Vitia e Sokol Halitit është gati për Lidhjen tonë” duke nënvizuar besimin e strukturave lokale dhe qytetarëve në projektin politik të LDK-së.
Vitia përfaqësohet në listën zgjedhore të LDK-së nga kandidatë me përvojë, profesionalizëm dhe përkushtim: Vjollca Kadolli Halili (nr. 72), Halil Musliu (nr. 73), Faruk Nura (nr. 74), Lirie Aliu (nr. 75), Lumbardh Salihu (nr. 77), si dhe nga dy kandidatë nga mërgata, Ramadush Emini (nr. 88) dhe Xhavit Islami (nr. 91).
LDK ka bërë të ditur se takime të tilla do të vazhdojnë edhe në qytete të tjera të Kosovës, në funksion të forcimit të vizionit për ndryshim dhe rikthim të besimit qytetar në institucione. /Kosova.info/
