Aston Villa mposht Man Unitedin, arrin fitoren e 10-të radhazi

Aston Villa ka vazhduar formën e jashtëzakonshme, duke mposhtur Manchester Unitedin me rezultat 2-1 në “Villa Park”, për të regjistruar për herë të parë pas më shumë se një shekulli 10 fitore radhazi në ndeshje zyrtare.

Skuadra e Unai Emeryt e nisi ndeshjen me intensitet të lartë, duke krijuar disa raste të pastra shënimi në minutat e para. John McGinn dhe Ollie Watkins ishin pranë golit, por portieri Senne Lammens dhe mbrojtësi i ri Ayden Heaven shpëtuan Unitedin nga një disavantazh i hershëm. Rreziku vazhdoi edhe nga goditjet standarde, ku Morgan Rogers ishte shumë pranë golit pas një goditjeje nga këndi.

Manchester United u përmirësua gradualisht dhe arriti të krijojë raste, me Benjamin Sesko që testoi Emiliano Martínezin, por goli i parë i takimit erdhi nga vendasit. Morgan Rogers realizoi një supergol, duke u futur nga krahu i majtë dhe duke dërguar topin në cepin e sipërm të portës.

Megjithatë, United barazoi në fund të pjesës së parë, kur Patrick Dorgu ia rrëmbeu topin Matty Cashit dhe Matheus Cunha realizoi një goditje të bukur për 1-1.

Në pjesën e dytë, United pësoi goditje të rëndë me lëndimin e Bruno Fernandes, ndërsa Ruben Amorim u detyrua të aktivizojë Lisandro Martínezin në mesfushë. Aston Villa përfitoi sërish dhe Morgan Rogers shënoi golin e dytë personal, në mënyrë pothuajse identike me të parin, duke rikthyer epërsinë për vendasit.

Manchester United pati një mundësi të artë për barazim, por Cunha dështoi të shënojë nga afërsia pas një krosi perfekt nga Dorgu. Në minutat e fundit, të rinjtë Shea Lacey dhe Jack Fletcher debutuan për Unitedin, ndërsa Lacey testoi portierin Martínez me një goditje nga distanca.

Me këtë fitore, Aston Villa forcon pozitat si pretendente serioze për titullin kampion, ndërsa Manchester United humbet terren në garën për pozitat evropiane, duke u përballur edhe me mungesa të shumta në skuadër.


Go to TOP