Karoglan pas fitores ndaj Prishtinës: Ende duhet shumë punë
Trajneri i Ballkanit, Mislav Karoglan, e ka vlerësuar lart fitoren 3-1 ndaj Prishtinës, duke e cilësuar si një sukses të rëndësishëm në një ndeshje të vështirë, që i jep ekipit motivim për vazhdim.
Pas ndeshjes së zhvilluar në fundjavë, në kuadër të xhiros së shtatëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në futboll, Karoglan ka thënë se skuadra e tij e meritoi fitoren, pavarësisht momenteve të vështira gjatë lojës.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por një fitore e madhe dhe e rëndësishme për ne. Patëm momente të mira dhe momente të vështira, por në fund e merituam fitoren. Ky është një start i mirë që na jep motivim të vazhdojmë të punojmë më shumë dhe të përmirësohemi”, është shprehur Karoglan.
Ai ka shtuar se Ballkani është aktualisht lider, por bëri thirrje për kujdes, pasi tabela ende nuk është e plotë. “Jemi liderë, por disa ekipe kanë ndeshje më pak. Asgjë nuk ka përfunduar”, ka theksuar ai.
Karoglan ka folur edhe për sfidën e radhës ndaj Dukagjinit, që mban vendin e dytë në tabelë. “Na pret një ekip i fortë. Do të luajmë në kushte dhe fushë ndryshe, prandaj duhet të jemi të përgatitur dhe të adaptohemi që nga minutat e para. Do të japim maksimumin”, ka deklaruar ai.
Me këtë fitore, Ballkani ka forcuar pozitën e parë në renditje me tridhjetë e dy pikë, katër më shumë se Dukagjini në vendin e dytë. Në fund të tabelës vazhdon të mbetet Prishtina e Re me pesëmbëdhjetë pikë.
