Jeta Rafuna Hasani rikandidon me LDK-në për zgjedhjet parlamentare: Kërkon mbështetje me numrin 39

Jeta Rafuna Hasani ka njoftuar zyrtarisht rikandidimin e saj për Zgjedhjet Parlamentare nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e deritanishme dhe gatishmërinë për një angazhim edhe më të madh në shërbim të vendit.

Në njoftimin e saj publik, Hasani ka theksuar se ky vendim vjen pas një përvoje të rëndësishme politike, veçanërisht pas zgjedhjeve komunale, ku ajo u zgjodh gruaja më e votuar në Kuvendin e Kryeqytetit nga LDK. Sipas saj, ky rezultat ishte një dëshmi e qartë e besimit të qytetarëve, të cilin e vlerëson si përgjegjësi të madhe për të ardhmen.

Ajo ka kujtuar se brenda këtij viti ka kaluar dy gara zgjedhore dhe tashmë po hyn në të tretën duke falënderuar secilin qytetar për mbështetjen e vazhdueshme dhe duke shprehur shpresën për të njëjtën përkrahje edhe në këtë rrugëtim të ri politik.

Hasani ka theksuar se angazhimi i saj do të vazhdojë me përkushtim, përgjegjësi dhe energji të shtuar për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës. Ajo ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve me numrin 39 në listën zgjedhore të LDK-së, e cila mban numrin 123.

Jeta Rafuna Hasani aktualisht është asambliste në Komunën e Prishtinës dhe ka ushtruar funksionin e shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin Komunal të Kryeqytetit, ku ka fituar edhe një mandat të ri duke u veçuar për angazhimin dhe përfaqësimin e vazhdueshëm të interesit qytetar. /Kosova.info/


Go to TOP