Abdixhiku mobilizon nëndegët e Prishtinës: Kryeqyteti gati për një tjetër fitore

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim mobilizues dhe përgatitor me nëndegët e Prishtinës, ku morën pjesë përfaqësues nga të 83 nëndegët e Kryeqytetit, në funksion të përgatitjeve për fitoren e radhës në Prishtinë.

Takimi u karakterizua nga një frymë e fortë pune, energji pozitive dhe një ndjenjë e qartë përgjegjësie për momentin politik që vendi ka përpara. Abdixhiku vlerësoi organizimin e jashtëzakonshëm, seriozitetin dhe gatishmërinë e strukturave të LDK-së për betejën elektorale që po afrohet.

Ai njoftoi se nga dita e nesërme, të 30 kandidatët për deputetë nga Kryeqyteti, së bashku me aktivistët e LDK-së nga Prishtina dhe nga qytete të tjera, do të jenë të pranishëm në çdo lagje, pranë çdo qytetari, për të dëgjuar shqetësimet, për të komunikuar programin dhe për të ndërtuar fitoren hap pas hapi.

“Prishtina ka ditur gjithmonë të japë shembull dhe edhe kësaj here është e gatshme. Kryeqyteti është gati të flasë i pari dhe të zgjedhë shpresën”, u shpreh Abdixhiku.

Me këtë mobilizim, LDK synon ta konfirmojë edhe një herë Prishtinën si bastion të organizimit, vizionit dhe shpresës për ndryshim. /Kosova.info/

Go to TOP