Mulaj: Gjashtë dështimet kryesore të qeverisë Kurti që po i paguan qytetari

Kandidati i LDK-së për deputet, Besim Mulaj, ka renditur gjashtë dështimet kryesore të qeverisë Kurti duke vlerësuar se pas pesë vitesh qeverisje, premtimet e mëdha janë shndërruar në pasoja të rënda për ekonominë, politikën dhe jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.

Sipas Mulajt, dështimi i parë është konflikti i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë. Ai thekson se për herë të parë Kosova u fut në përplasje të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në pezullimin e negociatave për partneritet strategjik, ndërsa marrëdhëniet me Bashkimin Evropian u përkeqësuan aq shumë sa u vendosën masa ndëshkuese, të cilat, sipas tij, i kushtuan Kosovës rreth një miliard euro humbje. “Izolimi nuk është sovranitet, por dështim diplomatik”, ka deklaruar Mulaj.

Dështimi i dytë, sipas tij, lidhet me sektorin e energjisë, të cilin e quan shembullin më të qartë të keqmenaxhimit. Ai përmend rritjen e vazhdueshme të çmimit të energjisë për familjarë dhe biznese, daljen e mbi 1300 bizneseve në tregun e lirë me çmime të trefishuara, mungesën e hetimeve të premtuara dhe dështimin për të ndërtuar kapacitete të reja energjetike duke rritur ndjeshëm importin e energjisë.

Si dështim të tretë, Mulaj përmend administratën publike, ku sipas tij u premtua profesionalizëm, por institucionet u mbushën me ushtrues detyre duke i paralizuar ato dhe duke hapur rrugë për punësime partiake e familjare.

Dështimi i katërt lidhet me infrastrukturën, ku, sipas Mulajt, nuk u finalizua asnjë projekt madhor. Ai përmend rrugët Prishtinë–Podujevë, Prishtinë–Pejë, Prishtinë–Gjilan, Gjakovë–Dollc–Skenderaj-Drenas duke theksuar se zvarritja e tyre po i shkakton humbje ekonomike shtetit dhe stres qytetarëve.

Në vend të pestë, Mulaj rendit zhvillimin ekonomik dhe investimet duke thënë se për pesë vite nuk u finalizua asnjë park biznesi dhe Kosova nuk arriti të tërheqë investitorë seriozë strategjikë, ndërsa disa drejtues ministrish po përballen me procese gjyqësore për korrupsion.

Ai ka theksuar gjithashtu se, ndonëse ishte premtuar ndalja e shpopullimit, sot Kosova po përballet me largim masiv të qytetarëve. “Për pesë vite, Kosova u zbraz, ndërsa propaganda u mbush”, ka deklaruar Mulaj.

Në fund, ai ka përdorur një ton ironik duke e përgëzuar kryeministrin Kurti për përfundimin e Urës së Saradranit në Istog. “Pas pesë viteve premtime, dështime dhe humbje miliardëshe, ura mbetet dëshmi se kur ka vullnet, diçka edhe përfundohet”, ka përfunduar Mulaj. /Kosova.info/


Go to TOP