Fermerët bllokojnë rrugët në jug të Francës
Fermerët e zemëruar francezë po kërkojnë më shumë protesta kundër asgjësimit të tufave të gjedhit të prekura nga e ashtuquajtura Sëmundja e Lëkurës me Gunga (Lumpy Skin Disease – LSD). Një veprim i tillë për asgjësimin e gjedheve është mbështetur nga qeveria.
Të enjten pati përplasje mes policisë së trazirave dhe protestuesve në departamentin jugor Ariège, pasi veterinerët u thirrën të asgjësonin bagëtitë potencialisht të infektuara në një fermë.
Diku tjetër në jug, fermerët kanë hedhur pleh para ndërtesave qeveritare dhe kanë bllokuar rrugë. Zyrat e disa grupeve mjedisore u shkatërruan në departamentin Charente-Maritime, raporton BBCNews.
LSD është një sëmundje shumë ngjitëse e gjedhit, e cila transmetohet kryesisht nga pickimet e mizave. Simptomat përfshijnë ethe, rrjedhje mukozale dhe gunga në lëkurë.
Sëmundja mbërriti në Evropë nga Afrika rreth dhjetë vjet më parë. Shpërthimi i parë në Francë ndodhi në Alpe në qershor, kur një tufë e infektuar detyroi garën e famshme të çiklizmit Tour de France të shkurtonte një nga etapat e saj.
Conféderation Rurale dhe Conféderation Paysanne thonë se politika po zbatohet në mënyrë brutale, dhe se është e panevojshme, pasi një kombinim i asgjësimit selektiv dhe vaksinimit do të mjaftonte.
Qeveria franceze është e shqetësuar se protestat mund të kthehen në një lëvizje më të gjerë mes popullsisë bujqësore që ndjen se është nën kërcënim të shtuar nga vendosja e normave të BE-së dhe konkurrenca nga jashtë.
Një protestë e madhe është planifikuar në Bruksel javën e ardhshme gjatë samitit të liderëve të BE-së. Sektorë të ndryshëm të bujqësisë franceze janë në krizë të thellë, nga kultivuesit e verës të goditur nga rënia e konsumit, te fermerët e shpendëve të prekur nga gripi i shpendëve.
Po ashtu ka kundërshtim të gjerë kundër nënshkrimit të ardhshëm të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë të BE-së me vendet e Amerikës së Jugut, e cila, sipas fermerëve, do ta hapte Francën ndaj importeve më të lira ushqimore, shumica e të cilave prodhohen nën standarde më të ulëta mjedisore dhe sanitare.
