Albin Kurti a e konfirmoi se ai dhe partia e tij e mbështetë “Luftën hibride”?!

Shkruan: Idriz MORINA

Albin Kurti a e konfirmoi se ai dhe partia e tij e mbështetë “Luftën hibride”?! Të gjithë janë dëshmitarë se Mimoza Kusari, ka folur në telefon me Radojçiqin për tu dakorduar për tema të caktuara në Kuvend me Listën serbe, terroristin në Banjë, sulmin shtetëror të Serbisë ndaj Kosovës, por para kësaj ngjarje.
Mimoza Kusari Lila e ka pranuar vetë edhe në Kuvend, edhe në një intervistë televizive, në mënyrë decidive se zëri i publikuar në tetorin e vitit 2024, nga biseda telefonike e përgjuar ishte i saj. Pra, asgjë nuk ka ndodhur ndryshe, dhe se ajo, pra vërtetë e ka quajtur “brate” Radojçiqin.
Por, ky rast nuk i ka ndërgjegjësuar aspak Vetëvendosjen dhe Kurtin, se duhet të jenë shumë më të arsyeshëm në kritika, dhe që të tërhiqen nga qëndrimet ekstreme ndaj të tjerëve.
Më tej, Mimoza Kusari Lila ka provuar, mbase e shtyrë edhe nga partia, me shpresë të shpëlajë veten, ka ushtruar padi në Prokurori për ta identifikuar zërin e saj, edhe me pretendimin se përgjimi ishte ilegal, dhe se gazetari dhe media që e publikoi e para, kishte nxitur përçarje etj.
Përgjimi gjithëherë është ilegal, nëse nuk bëhej apo nuk bëhet me urdhër gjykate.
Prokuroria Speciale me aktvendimin e 26 shtatorit 2025, i ka dhënë përgjigje Kusarit, po ashtu se nuk ka dyshime në autentcitetin e përgjimit, ndërsa kallzimin e saj penal e ka hedhur poshtë.
Pra, Mimoza nëpërmjet një telefoni të deputetit të Listës serbe, arrin marrëveshje me Radojçiqin, që ai dhe Lista serbe ta përkrahin në çështje të caktuara, që bazuar në votimin në Kuvend, rezultoi të ishte pengimi i përfitimit të rritjes së pensionit për invalidët e luftës.
“Pas analizimit dhe vlerësimit të hollësishëm të kallëzimit penal, shkresave dhe provave të lëndës, e në veçanti, pas dëgjimit me kujdes të bisedës së zhvilluar mes të dëmtuarës, Sllavko Simiq si dhe Millan Radoiçiq, Prokurori i Shtetit ka ardhur në përfundim se në rastin konkret veprimet e ndërmarra nga i dyshuari nuk konsumojnë elementet e veprës penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’”, thuhet në aktvendim.
Por, Albin Kurti, uzurpatori prej 10 muajsh i detyrës së kryeministrit, shkelësi rekordmen i Kushtetutës së Kosovës, e ka quajtur “Luftë hibride”, audioincizimin.
“Është pjesë e luftës hibride dhe e montimeve që janë bërë ndaj Kusari Lilës, ajo është montuar dhe unë besoj se ata që e kanë transmetuar do të duhej të hetoheshin se si u bë një montim i tillë dhe kush ua dha e si ua dha, nuk ka asgjë të vërtetë të provosh ta lidhësh Kusari Lilën me Milan Radoiçiqin është gjë e ligë, përveç e pavërtetë. E kemi diskutuar në grup parlamentar, i ka treguar ato që i ka thënë publikisht”, ka thënë Kurti në Kanal10.
Pra, përveç se nuk e dënon nivelin e bisedës së Kusarit, e mbron atë dhe duke e cilësuar luftë hibride rastin, i akuzon në mënyrë të qartë, edhe pse indirekte, edhe institucionet e hetimit – prokurorinë për luftë hibride.
Ai nuk i ka bërë thirrje asnjëherë zyrës së propagandës së tij, që të ndalë shpifjet, rrenat, mashtrimet, videomontazhet, fotomantazhet ndaj të gjithë atyre që “Zyra e propagandës” së Kurtit i vlerëson si të rrezikshëm për autoritetin dhe që ulin dominimin politik të VV-së, madje përfshirë edhe udhëheqjen e një lufte të fshehtë kundër ndikimit të SHBA-së.
Por, përve se asnjëherë nuk ka bërë thirrje që t’i jepet fund këtij krimi, që në esencë është luftë hibride, ai në intervistën e transmetuar mbrëmë, e vazhdoi vetë këtë.
Pra, ai e quajti luftë hibride bisedën e transmetuar Kusari-Radojçiq, ndërsa vetë autorja e bisedës e thotë plotësisht të kundërtën, sikurse ka vlerësuar edhe Prokuroria!
Po ashtu ai ka gënjyer në frymën e luftës hibride duke thënë se për të ishte e dhimbshme që Gjykata Kushtetuese e suprimoi ligjin për Masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, sipas të cilit ligj, këto masa do të vendoseshin nga ministri dhe keryeministri.
Gjykata rikonfirmoi se këta hapa mund të ndërmerreshin nga një institucion apo trup e pavarur, por në asnjë rast nga qeveria, sepse do të ishte në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe tregun e lirë.
“Gjykata ka vendosur (i) njëzëri të shpallë kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se paragrafët 2 dhe 4 të nenit 4 (Produktet Themelore), paragrafi 2 i nenit 5 (Masat e përkohshme mbrojtëse), paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 9 të nenit 8 (Vendimmarrja) dhe paragrafi 2 i nenit 9 (Mbikëqyrja dhe sanksionet) të Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], nenin 10 [Ekonomia] dhe paragrafin 5 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se neni 10 (Hyrja në fuqi) i Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 1 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iv) të shpallë të pavlefshëm, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg; dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masën e përkohshme”- thuhet në njoftimin e 24 nëntorit 2023 të Gjykatës Kushtetuese, që Albini edhe këtu gabonte duke e quajtur vendim të datës 23 nëntor. As njoftimi dhe as vendimi nuk janë të datës 23 nëntor.
Lufta hibride ka nisur shumë kohë më parë në Kosovë, por atëherë nuk quhej ashtu. Psh. Trazirat e marsit 2004, besoj se ishin rasti i fitores kulminante të “Luftës hibride”, për të cilën më së shumti ishte e interesuar Serbia, por që u ndihmua edhe nga faktorë të tjerë. Ato ngjarje kurrë nuk u hetuan, madje as në mënyrë joserioze!
Pastaj lufta speciale vazhdoi me akuzimin e atyre që kërkonin me këmbëngulje zbardhjen e vrasjeve politike – Nuk mungonin fotomontazhet të përcjellura me tekste shpifëse. Prokuroria pak ka bërë për zbardhjen e tyre.
Më vonë sulmet u shtuan ndaj atyre që bënin rezitencë ndaj themelimit të asociacionit dhe demarkacionit, ku i cenuar ishte edhe Kurti edhe disa bashkëpunëtorë të tij dhe nga parti të tjera.
Por, çuditërisht me ardhjen në pushtet të VV-së, kjo mënyrë komunikimi u bë qendrore dhe madje si i vetmi mjet për sigurimin e epërsisë politike.

Go to TOP