Nga tradita te inovacioni: Kosova në sytë e një dokumentari ndërkombëtar
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë organizoi mbrëmë një ngjarje të veçantë, shfaqjen paraprake të dokumentarit të arte “Alte Kräuter, neuer Geist”, “Barishte të vjetra, shpirtra të rinj”.
Ky dokumentar, një bashkëpunim i dy vendeve Gjermani – Kosovë, sjell historinë e dy distiluesve vendas që kanë ringjallur traditat e vjetra të distilimit të rakisë, duke i kombinuar ato me sipërmarrjen moderne dhe fuqizimin e grave, njofton Ambasada gjermane në Kosovë.
Brikena Gashi shënon një moment historik si gruaja e parë dhe e vetme në Kosovë që rrit dhe distilon rakinë, duke u bërë një pioniere e vërtetë. Ndërkohë, Ali Alijaj rikthehet pas 20 vitesh në Gjermani për të vendosur distilerinë e tij unike, duke vazhduar traditën familjare.
Dokumentari do të ketë premierën televizive në arte TV, një bashkëpunim kulturor gjermano-francez, këtë të diel, më 14 dhjetor 2025 në orën 19:30. Shikuesit do të kenë mundësinë të shohin imazhet e bukura të Kosovës dhe të ndjekin historitë frymëzuese të Brikenës dhe Aliut.
