FIFA dhe FFK sjellin “FIFA Arena” në Prishtinë – Hapësira të reja sportive për fëmijët dhe komunitetin

Me shumë kënaqësi, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) njofton fillimin e projektit “FIFA Arena” në Komunën e Prishtinës, një iniciativë e çmuar nga FIFA për masovizimin e futbollit dhe krijimin e mundësive të reja për fëmijët dhe komunitetin.

Dy shkollat e para që do të përfitojnë nga ky projekt janë: “Gjergj Fishta” dhe “Hasan Prishtina”. Këto fusha moderne sportive janë të dedikuara si për nxënësit e shkollave, ashtu edhe për banorët e zonave përreth, duke ofruar hapësira cilësore për lojë, aktivitet fizik dhe zhvillim të talenteve të reja.

Fushat janë donacion i FIFA-s, ndërsa instalimi po realizohet në bashkëpunim të plotë me Komunën e Prishtinës. Njëra fushë tashmë është përfunduar, ndërsa tjetra pritet të përfundojë brenda kësaj jave. Të gjithë proceset e furnizimit dhe montimit janë organizuar direkt nga FIFA.

Në emër të KE të FFK-së dhe komunitetit të futbollit, falënderojmë FIFA-n për këtë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit në Kosovë. Projekti “FIFA Arena” do të zgjerohet gradualisht në shtatë regjionet e tjera të vendit, duke krijuar më shumë mundësi për fëmijët dhe komunitetin që të luajnë futboll dhe të zbulojnë talentet e tyre.

Trajnerët e FFK-së do të jenë të pranishëm në këto fusha, me qëllim identifikimin dhe orientimin e talenteve të rinj drejt klubeve dhe shkollave të futbollit.

Ky projekt është pjesë e programit të FFK-së për masovizimin e futbollit në Kosovë dhe për krijimin e kushteve më të mira për gjeneratat e reja.

Bashkë për futbollin! ⚽️🇽🇰 /Kosova.info/

Go to TOP