Veliu reagon pas lënies jashtë liste: Vendim i padrejtë, manovër e ulët – nuk do të hesht, ky është vetëm fillimi
Agim Veliu, një nga figurat më të njohura dhe me peshë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar ashpër pas mos përfshirjes së tij në listën zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në një deklaratë të gjatë drejtuar anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve, ai e ka quajtur vendimin “padrejtësi të pashembullt” dhe “manovër të ulët” që, sipas tij, nuk ka të bëjë me politikë, por me frikë dhe kalkulime të brendshme.
Veliu fillimisht falënderoi qytetarët dhe aktivistët që, siç tha, kanë kërkuar me zë të lartë përfshirjen e tij në listë duke e konsideruar atë të nevojshme për fuqizimin e degës në Podujevë dhe të LDK-së në tërësi. Ai theksoi se gjatë gjithë karrierës së tij politike nuk ka humbur asnjë garë, ndërsa sot përballet me një vendim që e cilësoi të pajustifikueshëm.
“Përjashtimi im nga lista e kandidatëve nuk është vendim politik! Është manovër e ulët, e mbështjellë me frikë dhe kalkulime të vogla të individëve që e kanë harruar kush e ka mbajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës fituese për vite me radhë,” deklaroi ai.
Veliu u shpreh se vendimi nuk e prek atë personalisht sa prek votuesit që, sipas tij, e kanë mbështetur vazhdimisht me punë dhe besim. Ai theksoi se nuk është bërë barrë për askënd brenda partisë, por se dikush është trembur nga fuqia e tij elektorale dhe integriteti që e ka dëshmuar në çdo proces.
“Ky vendim nuk më nëpërkëmb mua, por fyen drejtpërdrejt votuesin që gjithmonë më ka mbështetur,” tha ai duke paralajmëruar se nuk ka ndërmend të heshtë apo të tërhiqet.
Agim Veliu njoftoi se do të kërkojë transparencë dhe drejtësi deri në fund duke theksuar se beteja e tij sapo ka filluar.
“Le ta dinë të gjithë: nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të lejoj që intrigat e disa zyrtarëve të frikësuar e pa integritet ta zhbëjnë punën time shumëvjeçare. Ky është vetëm fillimi,” përfundoi ai. /Kosova.info/
