Naza Krasniqi zyrtarizohet kandidate për deputete nga LDK: Besim me domethënie të veçantë, bashkë do t’ia dalim më 28 dhjetor

Naza Krasniqi ka konfirmuar sot kandidimin e saj për deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku do të garojë me numrin 84. Ajo e ka cilësuar këtë besim si një vlerësim të veçantë dhe një kurorëzim të angazhimit të saj mbi dy dekada brenda LDK-së.

Krasniqi u shpreh mirënjohëse ndaj Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të partisë, Lumir Abdixhikut, për konfirmimin dhe mbështetjen e dhënë, duke theksuar se do të vazhdojë të punojë me përkushtim të plotë në shërbim të qytetarëve dhe Republikës.

Ajo falënderoi gjithashtu aktivistët, bashkëpunëtorët dhe strukturat partiake, përfshirë nëndegën “Lagja e Spitalit 2” dhe degën e tretë “Dega e Presidentit Rugova” në Prishtinë, të cilat i vlerësoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe udhëheqjen vizionare të kryetarit Alban Zogaj.

Duke rikujtuar trashëgiminë e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, Naza Krasniqi theksoi se LDK mbetet shtëpia e vlerave shtetformuese dhe pjekurisë politike, ndërsa shprehu bindjen se më 28 dhjetor partia do të dalë më e fortë dhe më e bashkuar.

“Bashkë do t’ia dalim dhe dalshim faqebardhë!”, deklaroi Krasniqi, duke u bërë thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor të votojnë LDK-në me numrin 123 dhe atë me numrin 84, për një Kosovë më të mirë dhe një LDK të fuqishme./Kosova.info/

Go to TOP