Festa e artistëve, ekspozita tradicionale “Hijet e Bardha” hapet me 15 dhjetor, duke filluar nga ora 19:00
Më 15 dhjetor, duke filluar nga ora 19:00, Galeria Qahili hap edicionin e radhës të ekspozitës tradicionale dhe festës së artistëve, Hijet e Bardha. Edicioni i sivjetshëm prezanton punën dhe koleksionin personal të artistit Joseph Jeremiah Langley, një krijues amerikano-francez i cili ia ka kushtuar jetën artit dhe edukimit artistik. Ekspozita mban titullin “Vizionet poetike të një të verbëri”, dhe trajton idenë e të jetuarit të shumë jetëve brenda një trupi të vetëm.
Ky edicion i Hijeve të Bardha sjell një udhëtim vizual dhe emocional që reflekton eksperiencat e shumta të artistit: nga vendlindja në Karolinën e Veriut, udhëtimet në Francë, stinët e jetës në cirk, deri te krijimtaria e tij multidisiplinare si një figurë nomade që lëviz nëpër botë duke mbajtur mbi supe shtëpinë e artit.
Hijet e Bardha është një aktivitet artistik dhe një festë e dedikuar fundvitit, e cila prej vitesh bashkon artistë, artdashës dhe publikun e gjerë. Titulli qëndron si metaforë për ta përshkruar artin si të pastër, të dlirë dhe madhështor. Hija, si dukuri, është gjigante dhe gjithnjë në ndryshim, një iluzion që nuk mbetet kurrë i njëjtë. Edhe pse hijet e bardha nuk mund të shihen, ato janë gjithkund, po ashtu si sharmi i artit që vepron përtej dukshmërisë. Pikërisht ky dimension e bën artin të magjishëm dhe të pakapshëm, duke e mahnitur publikun.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun gjatë gjithë sezonit festiv, dhe mund të vizitohet deri me 15 janar 2026.
Në të njëjtën kohë, ekspozita “Ndjeshmëria ndaj Riformimit” e Merita Selimi Spahija vazhdon të jetë e hapur për vizitorë deri me 12 dhjetor 2025.
Kjo eskpozitë është në kuadër të programit vjetor të Galerisë Qahili dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Galeria Qahili ekziston për të krijuar, ruajtur dhe promovuar artin; për të edukuar dhe angazhuar publikun përmes fushave të artit. Misioni i saj mbështetë lirinë artistike dhe ngritjen e marrëdhënies unike midis prodhimit dhe konsumit të artit./Kosova.info/
