Maloku: Gjuha agresive po e shkatërron kulturën politike në Kosovë
Politologu Albinot Maloku ka reaguar ashpër ndaj degradimit të komunikimit politik në vend, duke e cilësuar gjuhën agresive, ofenduese dhe konfliktuale si një nga fenomenet më shqetësuese të skenës publike në Kosovë.
Maloku thekson se, në një kohë kur vendi ka nevojë për qartësi politike, përgjegjësi demokratike dhe orientim strategjik, skena politike po rrëshqet drejt komunikimit agresiv e joproduktiv, i cili po shndërrohet në normë dhe spektakël publik.
Sipas tij, politikanët po prodhojnë më shumë “atraksione kamerash” sesa ide e politika me peshë. Ai kujton se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë këtë fenomen “anti-vleror”, ndërsa kritikon faktin që palët politike po kontribuojnë në këtë gjuhë të ulët që dëmton besimin publik dhe cilësinë e dialogut.
Për të ilustruar rrezikun, Maloku citon fjalët e Mahatma Gandhit: “Gjuha e ashpër është një formë e dhunës.” Politologu thekson se përplasjet verbale, ironitë denigruese dhe gjuha e trupit që imiton konfliktin po marrin më shumë hapësirë sesa debatet reale mbi politikat publike, duke e zhvendosur vëmendjen nga thelbi tek spektakli. Ai sjell edhe mendimin e George Orwell-it, i cili paralajmëronte se gjuha politike shpesh përdoret për të veshur të vërtetat e hidhura me petkun e respektueshmërisë.
Maloku fajëson edhe rolin e mediave, të cilat, ndonjëherë, ndjekin logjikën e spektaklit duke amplifikuar përplasjet, në vend se të thellohen në përmbajtje. Kjo, sipas tij, rrezikon që politika të kthehet në teatër, duke humbur dallimin mes realitetit dhe lojës, siç paralajmëronte Hannah Arendt.
Në reagimin e tij, ai apelon fuqishëm që partitë politike, zyrtarët publikë dhe mediat të ndërmarrin kthesë të vetëdijshme, duke vendosur standarde të qarta dhe të patolerueshme ndaj gjuhës ofenduese. Maloku përmbyll duke thënë se Kosova meriton më shumë: debat me argumente, jo duele me fyerje; përgjegjësi, jo spektakël.
Ai sjell edhe një mesazh nga Václav Havel: “Fjala e folur ka peshë vetëm kur mban përgjegjësi.” Sipas tij, është koha që politika dhe mediat t’i rikthehen kësaj peshe, për të mbrojtur kulturën demokratike dhe institucionet e republikës./Kosova.info/
