Halil Thaçi merr detyrën: Betimi i kryetarit të ri të Obiliqit për mandatin katërvjeçar

Halil Thaçi ka dhënë sot betimin si Kryetar i Komunës së Obiliqit për mandatin e ri katërvjeçar. Seanca inauguruese u mbajt në Kuvendin Komunal, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, organizata të dala nga lufta, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mysafirë të shumtë.

Seancën e hapi anëtari më i vjetër i Kuvendit, Enver Gashi, i cili uroi anëtarët e rinj dhe theksoi përgjegjësinë që mbajnë ata në këtë organ.

Pas betimit të 21 anëtarëve të zgjedhur të Kuvendit, para të pranishmëve u betua edhe kryetari i ri i Obiliqit, Halil Thaçi. Ai falënderoi qytetarët për besimin dhe tha se ky mandat do të jetë i fokusuar në punë të ndershme, transparencë dhe shërbim ndaj qytetarëve.

Thaçi vuri theksin te respekti për familjet e dëshmorëve dhe rolin e UÇK-së në lirinë e vendit. Ai shtoi se politika nuk duhet të shihet si privilegj, por si përgjegjësi ndaj komunitetit.

Kryetari premtoi angazhim të përditshëm për zhvillimin e Obiliqit, me theks në ekonomi, arsim, mjedis dhe shëndetësi. Ai tha se nuk do të ketë të privilegjuar dhe se ligji dhe interesi i qytetarëve do të jenë parësore.

Në fund të fjalimit, Thaçi shprehu falënderim për të gjithë ata që e mbështetën dhe theksoi se puna e përbashkët do të jetë udhërrëfyese për mandatin që sapo ka nisur.

Zyra për Informim e Komunës së Obiliqit ka bërë të ditur se puna në institucion tashmë ka nisur me ritme të reja./Kosova.info/

Go to TOP