Haradinaj prezanton Yll Bogajn: Një emër i njohur dhe i përkushtuar i Aleancës për Prishtinën
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka prezantuar sot Yll Bogajn si pjesë të listës së kandidatëve për zgjedhjet qendrore. Haradinaj theksoi kontributin e gjatë dhe të vyer të Bogajt në shtëpinë politike të Aleancës.
“Yll Bogaj e kam të lehtë ta prezantoj, sepse askush në Aleancë nuk e njeh më mirë punën dhe përkushtimin e tij. Ai ka qëndruar me dinjitet në të gjitha kohët, qoftë kur nuk ishim më së miri, qoftë kur ishim shumë mirë,” tha Haradinaj.
Prishtina është vendlindja dhe pika nisëse e aktivizmit politik të Bogajt, i cili u zgjodh dy herë asamblist dhe ishte ndër më të votuarit në listën e Aleancës për Prishtinën.
Sot, Bogaj i bashkohet listës së njerëzve të punës dhe të përkushtuar të Aleancës, që e shohin Kosovën si shtëpinë e tyre dhe nuk kursejnë asnjë energji për të kontribuar për të.
Haradinaj i uron sukses Yll Bogajt në këtë rrugëtim politik duke theksuar përkushtimin dhe pasionin e tij për shërbimin ndaj qytetarëve dhe vendit. /Kosova.info/
