Krasniqi kritikon moscertifikimin e Listës Serbe: Veprim i pamatur që dëmton pozicionin ndërkombëtar të Kosovës

Albert Krasniqi nga Democracy Plus ka reaguar ashpër ndaj moscertifikimit të Listës Serbe në procesin zgjedhor duke e cilësuar këtë vendim si të pamatur dhe të dëmshëm për interesat strategjike të Kosovës. Sipas tij, ky hap prodhon vetëm një efekt të qartë: i jep Serbisë argument shtesë për të pretenduar se të drejtat politike të komunitetit serb në Kosovë po cenohen nga shumica shqiptare.

Krasniqi thekson se ky skenar është i njohur dhe i përsëritur duke përfunduar gjithmonë me dështim, ndërsa mungon një qasje serioze për zgjidhjen e çështjes. Ai argumenton se, sikur të kishte vullnet të vërtetë institucional, do të ishin ndjekur rrugët ligjore për shpalljen e Listës Serbe si organizatë terroriste, gjë që do ta kishte mbyllur këtë debat shumë kohë më parë.

Sipas Krasniqit, manovra e tanishme procedurale po bëhet për përfitime të ngushta politike dhe mund të sjellë pasoja të rënda, pasi dobëson pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe i hap rrugë forcimit të kompetencave të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një rezultat që ai e sheh krejtësisht të kundërt me interesat shtetërore.

Ai e përmbyll reagimin me thirrjen që vendimmarrja në Kosovë të jetë e matur, e përgjegjshme dhe e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë duke shmangur masat impulsive që krijojnë kriza të panevojshme dhe dobësojnë pozitën negociuese të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP